Trump: Nuk do t’i shesim Turqisë avionët F-35

Presidenti Donald Trump tha të martën se ShBA-ja nuk do ti shesë Turqisë avionët e përparuar F-35 pas blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, duke u ankuar për faktin dhe duke fajësuar paraardhësin e tij për bllokimin.

Trump: Nuk do t’i shesim Turqisë avionët F-35

"Kemi të bëjmë me një situatë, ku Turqia është shumë e mirë me ne, dhe tani ne po i themi Turqisë se, meqë jeni vërtet të detyruar të blini një sistem tjetër raketash, ne nuk do t'ju shesim avionët luftarakë F-35", u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi të Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ku vlerësoi fillimin javën e kaluar të marrjes në dorëzim nga Turqia të komponentëve të sistemeve të mbrojtjes ajrore me raketat S-400, të cilat Ankaraja i ka blerë nga Rusia.

Trump kritikoi mos-shitjen Turqisë të raketave amerikane “Patriot” nga administrata e paraardhësit të tij, Barack Obama duke theksuar se kjo është arsyeja që Turqia u orientua nga Rusia për të blerë sistemin rus “S-400”.

Ne jemi duke biseduar me Turqinë për këtë çështje,- tha Trump dhe shtoi: “Me thënë të drejtën ne kemi marrëdhënie të mira (me Turqinë), por kjo është një situatë shumë e komplikuar. Administrata Obama nuk u shiti atyre raketat “Patriot”. Turqia bëri shumë përpjekje për ti blerë këto raketa, por ata (Obama) nuk ia shitën. Dhe pas kësaj Turqia i bleu raketat nga Rusia. Pas këtij zhvillimi ata i thanë Turqisë “Në rregull, ne do t’ju shesim raketat “Patriot”. Por ndërkohë Turqia e kishte firmosur marrëveshjen me Rusinë dhe kishte paguar edhe një sasi të konsiderueshme parash për këtë, sepse ajo nuk ishte lejuar që ti blinte raketat nga këtu (ShBA-ja), pasi Turqia është një anëtare e NATO-s. Ata (turqit) kishin porositur më shumë se 100 copë avionë F-35, madje kishin bërë plane për të blerë edhe më shumë se kaq”.

Trump u shpreh se ka marrëdhënie të mira me Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

“Turqia është shumë e mirë ndaj nesh. Kurse tani ne u themi atyre që nuk mund t’ju shesim avionët F-35 sepse kanë qenë të detyruar ta blejnë nga Rusia sistemin e mbrojtjes ajrore me raketa. Ata ndodhen në një situatë shumë të vështirë. Edhe situata në të cilën ndodhemi ne si Shtete të Bashkuara të Amerikës është shumë e vështirë. Po punojmë mbi këtë çështje, dhe do të shikojmë se çfarë do të ndodhë”, vlerësoi Trump për gazetarët.

Edhe prodhuesi i avionëve F-35Lockheed Martin” ‘nuk është i lumtur’ nga kjo situatë, pasi për kompaninë kjo nënkupton punësimin e mijëra vetëve, tha ndër të tjera Trump.

Administrata Trump kishte kërcënuar me përjashtimin e Turqisë nga programi i prodhimit të avionëve luftarakë të gjeneratës së re F-35 nëse ajo do të blinte raketat S-400 nga Rusia, duke paralajmëruar se sistemi rus mund të përdoret nga Moska për të zbuluar fshehurazi informacione sekrete mbi avionin e avancuar luftarak (F-35).

Dorëzimi i komponentëve të sistemeve S-400 filloi javën e kaluar dhe vazhdon. Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se një aeroplan i dymbëdhjetë rus i ngarkuar me pjesë të këtij sistemi ishte ulur të martën në aeroportin Murted jashtë Ankarasë.

Pas përpjekjeve të zgjatura dhe pa sukses për të blerë nga ShBA-ja një sistem të mbrojtjes ajrore, Ankaraja nënshkroi në vitin 2017 një kontratë për të blerë nga Rusia sistemin e mbrojtjes ajrore me raketat S-400.

Për këtë Trump ka fajësuar në mënyrë të vazhdueshme paraardhësin e tij, Barack Obama, për të cilin thotë se këtë problem (mes Turqisë dhe ShBA-së) e ka krijuar ai duke mos e lejuar qeverinë turke të blinte sistemet raketore amerikane “Patriot”.

 


Lajme të ngjashme