OBI kundër çdo plani që mohon të drejtat e palestinezëve

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka refuzuar në Samitin Mekës çdo propozim për një zgjidhje paqësore që nuk përputhet me të drejtat palestineze.

OBI kundër çdo plani që mohon të drejtat e palestinezëve

Në një komunikatë përmbyllëse, samiti i OBI-t, i mbajtur në Mekë të Arabisë Saudite dënoi “çdo vendim të paligjshëm dhe të papërgjegjshëm që e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit”, duke përfshirë vendimin e fundit të ShBA-ve.

Komunikata u bën thirrje shteteve anëtare të OBI-t që të marrin “masat e përshtatshme” kundër vendeve që njohin qytetin e shenjtë si kryeqytet të Izraelit.

Samiti i OBI-t përsëriti “refuzimin e çdo propozimi për zgjidhje paqësore që nuk përputhet me të drejtat legjitime dhe të patjetërsueshme të popullit palestinez”.

Në muajin dhjetor të vitit 2017, presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, njohu Izraelin si kryeqytet të Izraelit, një vendim që shkaktoi kundërshtime të gjera në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe nga Kombet e Bashkuara (OKB).

Jerusalemi mbetet epiqendra e mosmarrëveshjes me dekada të gjata në Lindjen e Mesme, me palestinezët që shpresojnë që Jerusalemi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, një ditë mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti palestinez.

Takimi i OBI-t po ashtu u bëri thirrje aktorëve ndërkombëtar që të “angazhohen në një rrugë politike shumëpalëshe që synon të nisë një proces të besueshëm të paqes nën sponsorizimin ndërkombëtar”.

Që nga vendimi i diskutueshëm i Trumpit për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, udhëheqja palestineze e ka refuzuar rolin e SHBA-ve në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

ShBA-ja është duke u përgatitur për të zbuluar aspektet ekonomike të planit të saj për paqen në Lindjen e Mesme, i njohur si “marrëveshja e shekullit”, gjatë një punëtorie ekonomike që do të mbahet më vonë në Bahrejn.

Bazuar në raportimet e mediave, “marrëveshja e shekullit” do t’u kërkojë palestinezëve të bëjnë lëshime të mëdha në favor të Izraelit lidhur me statusin e Jerusalemit dhe të drejtën e refugjatëve palestinezë që të kthehen në shtëpitë e tyre në Palestinën historike.



Lajme të ngjashme