Macron për shtyrjen e Brexit-it: Anglia të jetë e qartë me veten, me britanikët dhe me BE-në

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prononcua të mërkurën vonë në lidhje me shtyrjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit) deri në fund të tetorit.

1181330
Macron për shtyrjen e Brexit-it: Anglia të jetë e qartë me veten, me britanikët dhe me BE-në

“Janë 3 alternativa në 31 tetor: Dalja e rregullt e Britanisë nga Unioni, anulimi i Brexit-it dhe largimi pa marrëveshje”, deklaroi kreu i Pallatit Elize për gazetarët pas samitit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së për Brexit-in në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

Duke theksuar se e rëndësishme është që të ruajnë unitetin e BE-së për sa i takon Brexit-it, Emmanuel Macron bëri me dije se palët kanë rënë dakord për shtyrjen e procesit në fjalë deri më 31 tetor.

“Këtej e tutje Anglia duhet të jetë e qartë me veten e saj, me britanikët dhe me BE-në. A dëshiron Britania të organizojë zgjedhjet e Parlamentit Evropian? Është e çuditshme të thuash se do të largohesh nga BE-ja pas 3 vitesh dhe se do të marrësh pjesë në zgjedhjet e PE-së, megjithatë ky është një vendim që u takon atyre”, tha presidenti francez.

Edhe nëse Anglia merr pjesë në zgjedhjet e PE-së – shtoi ai – deputetëve britanikë u duhet të largohen nga Parlamenti Evropian kur vendi i tyre të dalë nga Unioni.

Ndërsa shefja e Berlinit zyrtar, Angela Merkel, në përgjigje të interesit të gazetarëve pas samitit të liderëve të BE-s për Brexit-in, tha se ishte një mbrëmje shumë intensive dhe njëherësh shumë pozitive, e cila demonstroi sërish unitetin e Bashkimit Evropian.

“Pozicioni im dhe i Gjermanisë ishte i qartë. Ne po luftojmë dhe përpiqemi për një Brexit të rregullt, me marrëveshje. Dhe këtë po e bëjmë jo për shkak të kërkesave të britanikëve, por për interesat tona”, deklaroi Kancelarja Merkel.

Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohet nga Bashkimi Evropian me referendumin e mbajtur më 23 qershor 2016. Parashikuar të zgjaste 2 vite, procesi i Brexit-it nisi zyrtarisht më 29 mars 2017.

Por refuzimi 3 herë nga Parlamenti britanik i marrëveshjes së Brexit-it, një dokument i akorduar ndërmjet Londrës zyrtare dhe 27 shteteve të tjera anëtare të BE-së, bëri që dalja e Anglisë nga Unioni të shtyhej fillimisht nga 29 marsi për më 12 prill dhe më pas më 31 tetor.



Lajme të ngjashme