Venezuelë – Maduro i referohet Ku Klux Klanit: Qeveria e SHBA-së është “një bandë ekstremistësh”

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, akuzoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e Presidentit Donald Trump për krizën në vendin e tij duke e përshkruar administratën amerikane si “një bandë ekstremiste”.

1144690
Venezuelë – Maduro i referohet Ku Klux Klanit: Qeveria e SHBA-së është “një bandë ekstremistësh”

“Kjo është një luftë politike e perandorisë së SHBA-së, e interesave të së djathtës ekstreme që qeveris sot, e Ku Klux Klanit që udhëheq Shtëpinë e Bardhë, për të marrë kontrollin e Venezuelës”, deklaroi Maduro në një intervistë speciale për Korporatën Britanike të Transmetimeve (BBC).

Ai tha se shpresonte që “ky grup ekstremist në Shtëpinë e Bardhë të mposhtet nga opinioni publik botëror i fuqishëm”.

Gjatë intervistës së realizuar në kryeqytetin Karakas, Maduro theksoi gjithashtu se SHBA-ja e urren Venezuelën dhe se mendon vetëm për interesat e saj.

I pyetur se cila është arsyeja që nuk lejon hyrjen në vend të ndihmave humanitare që presin në Kolumbi, presidenti venezuelas u përgjigj duke thënë se vendi i tij ka kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e popullit dhe se nuk ka nevojë t’i lutet askujt.

Duke nënvizuar se Venezuelës i janë ngrirë pasuri me vlerë miliarda dollarë në shtete të ndryshme, me në krye SHBA-në dhe Anglinë, Maduro sqaroi se me këtë rrugë Uashingtoni po tenton të shkaktojë një krizë humanitare për të krijuar terrenin e një ndërhyrjeje ushtarake në vendin e tij.

Kreu i shtetit venezuelas shpjegoi se media ndërkombëtare po sajon një histori të paqenë në lidhje me vendin e tij.

“Venezuela nuk është një shtet që vuan nga uria”, potencoi ai.

Kur u pyet rreth lajmeve se Venezuela ka prodhuar 3 milionë emigrantë, Nicolas Maduro u përgjigj me këto fjalë: “Ju media perëndimore keni një problem të përbashkët. Pranoni si fakt një gënjeshtër që ju transmetohet. Kjo fushatë emigracioni në lidhje me Venezuelën është ekzagjeruar. Venezuela është një shtet që merr emigrantë. Por ju nuk e shfaqni, nuk e transmetoni këtë.”

Sipas tij, media perëndimore ka gjithashtu një rol në skenarin e shkruar kundër vendit të tij dhe institucione si BBC-ja e CNN-ja i transmetojnë trillimet për Venezuelën pa i verifikuar.

“Nëse do të prodhonim patate apo majdanoz, atëherë s’do të kishim asnjë shenjë në hartën gjeopolitike”, u shpreh lideri amerikanolatin dhe shtoi: “Sepse Venezuela prodhon naftë, ka rezervat më të mëdha të naftës dhe rezervat e katërta më të mëdha të gazit në botë. Ka rezervat më të mëdha të arit në botë. Këto janë arsyet përse Venezuelës po i bëhen sulme të çdollojshme. Ashtu siç iu bënë Irakut dhe Libisë. Por Venezuela nuk është Iraku apo Libia. Ne do t’u bëjmë ballë të gjitha këtyre.”

Venezuela është tronditur nga një sërë protestas që prej datës 10 janar, kur Presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u ngritën kur Kryetari i Kuvendit Kombëtar me shumicë opozitare, Juan Guaido, u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës më datë 23 janar. Ky veprim u mbështet së pari nga SHBA-ja dhe pastaj nga Australia, Kanadaja, Kolumbia, Peruja, Ekuadori, Paraguai, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kosta-Rika dhe Guatemala. Këtyre shteteve iu bashkua së fundmi edhe Parlamenti Evropian.

Ndërsa Turqia, Meksika, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia konfirmuan mbështetjen e tyre për Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro. Ky i fundit, pas zhvillimeve në fjalë, njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve politiko-diplomatike me SHBA-në duke përjashtuar ato tregtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e pati vlerësuar dërgimin e trupave në Venezuelë si “një prej opsioneve” të mundshme.



Lajme të ngjashme