Dhuna në Idlib tema kryesore e samitit tresh Erdogan-Putin-Ruhani në Soçi

Nesër liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit gjatë samitit tresh në Soçi do të bisedojnë për çështje të ndryshme në Siri.

1144706
Dhuna në Idlib tema kryesore e samitit tresh Erdogan-Putin-Ruhani në Soçi

Në rendin e ditës të samitit tresh që do të mbahet nesër në Soçi të Rusisë janë dhuna në rritje në Idlib, procesi i tërheqjes së ShBA-së nga Siria dhe përpjekjet për formimin e komitetit, i cili do ta hartojë kushtetutën e re të Sirisë.

Liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, që janë garantuesit e procesit të Astanës, do të takohen në samitin e katërt me temë Sirinë.

Në kuadër të samitit tresh, Presidentit i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin do të zhvillojë një takim të ndarë me Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), ndërkaq do të ketë takim dypalësh edhe me Presidentin e Iranit, Hassan Ruhani.

Pritet që gjatë samitit liderët e tre vendeve garantuese të japin mesazhe për tërësinë territoriale të Sirisë, luftën e përbashkët kundër terrorit dhe agjendave separatiste dhe vazhdimin me bashkëpunimin e formuar në formatin e Astanës.

Takimi i fundit i liderëve ka qenë gjatë samitit të mbajtur më 7 shtator 2018 në Teheran, në të cilin ishin përqendruar në situatën në Zonën e Çtensionimit në Idlib. Samitin e Teheranit e shënoi thirrja e Presidentit Erdoan për vendosjen e armëpushimit në Idlib e bërë pas shtimit të numrit të trupave dhe të sulmeve të regjimit të Esadit me qëllim të mbrojtjes së rreth 4 milionë civilëve.

Pas kësaj Presidenti Erdoan më 17 shtator 2018 u takua në Soçi me homologun e tij rus, Putin me të cilin nënshkruan një marrëveshje për forcimin e armëpushimit në Idlib.

 

Në kuadër të marrëveshjes së Soçit opozitarët ushtarak tërhoqën armatimin e rëndë nga zona e caktuar dhe në zonë mbretëroi një situatë relativisht e qetë, ndërsa civilët e shpërngulur filluan të kthehen në shtëpitë e tyre. Mirëpo pak pas kësaj forcat e regjimit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani rifilluan me sulme ndaj vijës frontale dhe vendbanimeve civile.

Ndërkaq në samitin e nesërm parashikohet të bisedohet për dhunën në rritje në Idlib të tensionuar nga regjimi dhe grupet e huaja terroriste për të cilat dihet se mbështeten nga Irani.

Grupet në fjalë dje gjatë ditës kanë bërë mbi 100 të shtëna me artileri ndaj Zonës së Çtensionimit në Idlib.

Rusia i propozon Turqisë operacione të përbashkëta ndaj Heyet Tahriru Sham dhe disa grupeve tjera të cilat janë përgjegjës për këtë dhunë.

Mirëpo Turqia nuk shikon ngrohtë në këtë operacion pasi mund të shkaktojë një krizë të re humanitare në rajon.

Një temë tjetër e samitit të tre liderëve do të jetë edhe tërheqja e turpave amerikane nga Siria dhe operacioni që Turqia do të ndërmerr ndaj lindjes së lumit Eufrat dhe në Menbixh.

Rusia në parim nuk del kundër operacioneve të Turqisë në lindje të lumit Eufrat ndaj pranisë së organizatës separatiste terroriste YPG/PKK. Por, Moska kërkon që këto territore ti lihen regjimit sirian dhe pret që kontrolli i kësaj zone ti kalojë regjimit të Esadit brenda një kohe të shkurtë.

Ndërkaq Turqia është e shqetësuar që regjimi dhe YPG/PKK-ja do të mund të bashkëjetojnë ashtu si në zonën Haseke.

Për këtë arsye Ankaraja zyrtare dëshiron të marr masa ushtarake që YPG/PKK-ja të mos kthehet në këtë zonë nëpërmjet regjimit.

Ndërkaq Rusia publikoi vullnetin e saj në këtë drejtim për vendosjen e bashkëpunimit dhe kontakteve mes Turqisë dhe regjimit. Gjatë takimit me Erdoanin më 23 janar, Presidenti Putin rikujtoi Marrëveshjen e Adanës, të nënshkruar mes Turqisë dhe Sirisë në vitin 1998 dhe dha mesazhin se në këtë kuadër do të mënjanohen shqetësimet e Turqisë për siguri.

Përpjekjet për formimin e komitetit që do të hartojë kushtetutën e re të Sirisë, janë bllokuar për shkak të disa emrave të propozuara nga ana e regjimit.

Regjimi në vend se t’i paraqet emrat e personave civilë dhe relativisht të paanshëm, ai insiston përfshirjen e emrave të udhëheqësve të lartë të institucioneve publike.

Turqia, e cila është garantuese e opozitarëve, thekson se komisioni që do të shkruajë kushtetutën duhet të përbëhet nga individë të balancuar dhe të respektuar.


Fjalët Kyçe: #Rusi , #Turqi , #Iran , #samiti tresh , #Soçi , #Siri

Lajme të ngjashme