SHBA – Senatorët kërkojnë shkarkimin e princit trashëgimtar të Arabisë Saudite

Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje të mërkurën për shkarkimin e princit trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman...

1106287
SHBA – Senatorët kërkojnë shkarkimin e princit trashëgimtar të Arabisë Saudite

Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje të mërkurën për shkarkimin e princit trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman.

Një grup senatorësh amerikanë, mes të cilëve spikasin republikani Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, demokrati Bob Menendez nga Nju-Xhersi, si dhe demokratja Jeanne Shaheen nga Nju-Hempshair, organizuan një konferencë të përbashkët shtypi në lidhje projektrezolutën që parashikon sanksionimin e Arabisë Saudite për operacionet në Jemen dhe për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

“U bëj thirrje miqve tanë në Arabinë Saudite: Ju s’do të keni më kurrë një lidhje me Senatin e SHBA-së pa ndryshuar gjërat. Është detyra juaj të konstatoni se çfarë është ai ndryshim. Për mendimin tim, ecuria aktuale nuk funksionon. Ndërmjet vendeve dhe individëve ka marrëdhënie. Ai person, princi trashëgimtar, është kaq helmues, kaq i përlyer dhe kaq i implikuar, saqë e kam të pamundur të bashkëpunoj me Arabinë Saudite në të ardhmen pa një ndryshim atje”, deklaroi Lindsey Graham duke bërë thirrje për largimin e Mohammad bin Salmanit nga pozita e princit trashëgimtar.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë më shumë një barrë sesa një vlerë”, ka shtuar ai.

Ndërsa senatori Bob Menendez vuri në pah se i kanë dorëzuar Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit një projektrezolutë që parashikon aplikimin e sanksioneve kundër Arabisë Saudite për rolin e saj në krizën humanitare në Jemen dhe në vrasjen e Khashoggit.

Ligjvënësi nga Nju-Xhersi sqaroi se me këtë projektrezolutë do të mundësojnë vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe ndërprerjen e shitjes së armëve në drejtim të Riadit.

“Kjo (projektrezolutë) dërgon një mesazh global se nuk mund të vrisni egërsisht një person vetëm pse jeni aleatë të SHBA-së”, potencoi ai.

Projektrezoluta – vijoi Menendez – nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve ndërmjet Uashingtonit dhe Riadit, por ne jemi duke thënë se Arabia Saudite duhet të ndryshojë.

Nga ana e saj, demokratja Jeanne Shaheen tha se zhvillimet në Jemen janë të papranueshme.

“Kjo s’do të marrë fund këtu. Përgjegjësit do të japin llogari”, nënvizoi senatorja nga Nju-Hempshair duke folur gjatë së njëjtës konference për shtyp.

Drafti në fjalë pritet të votohet gjatë ditës së enjte në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit amerikan.

Senati ka miratuar gjithashtu zhvillimin e një debati në seancë plenare mbi draftin, që parashikon edhe kufizimin e kompetencave luftarake të Presidentit Donald Trump, si dhe ndërprerjen e mbështetjes së SHBA-së për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.

Në seancën plenare të ditës së enjte pritet të votohet edhe kjo projektrezolutë, zhvillimi i debatit për të cilën u miratua me 60 vota pro dhe 39 kundër.



Lajme të ngjashme