Francë – 135 të plagosur dhe 1.200 të arrestuar në protestat e ditës së shtunë

Plot 118 civilë dhe 17 policë të plagosur është bilanci i protestave të “Jelekëve të Verdhë” ditën e shtunë anembanë Francës...

Francë – 135 të plagosur dhe 1.200 të arrestuar në protestat e ditës së shtunë

Plot 118 civilë dhe 17 policë të plagosur është bilanci i protestave të “Jelekëve të Verdhë” ditën e shtunë anembanë Francës.

Numri është konfirmuar nga ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, i cili në një konferencë për mediat të shtunën vonë tha se në protestat mbarëkombëtare kanë marrë pjesë rreth 136.000 njerëz. Castaner shtoi gjithashtu se policia ka ndaluar 1.723 persona dhe ka arrestuar 1.200 prej tyre.

Në prag të protestës së djeshme ishin ndërmarrë masa të rrepta sigurie, përfshirë edhe anulimin e disa ndeshjeve të ligës së parë në futboll, ndërsa në gjendje gatishmërie ishin dhjetëra automjete të blinduara dhe 89.000 trupa ushtarake, përfshirë 8.000 në Paris.

Të shtunën, protestuesit e veshur me jelekë të verdhë u mblodhën përgjatë bulevardit të famshëm “Champs-Elysees” të kryeqytetit francez, ku dhuna e mëparshme detyroi dyqanet, restorantet dhe bankat të mbyllen.

Edhe gjatë ditës së djeshme, policia franceze përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve përgjatë bulevardit “Champs-Elysees”.

Protestat që filluan në Francë më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, u kthyen në protestat më të dhunshme në vitet e fundit.

Demonstruesit janë kryesisht banorë të zonave periferike për shkak të çmimeve të shtrenjta. Ata kërkojnë nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, që të ulë taksat dhe të përmirësojë kushtet ekonomike. 

Më herët u njoftua anulimi i rritjes së çmimit të karburanteve për vitin 2019.



Lajme të ngjashme