KS i OKB-së u mblodh me kërkesë të Rusisë në lidhje me tensionimin me Ukrainën

Rusia nuk mori përkrahjen e duhur të 9 nga 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për mbajtjen e mbledhjes në lidhje me “shkeljen e ujërave territoriale”, mbledhja u mbajt me temë “Tensionimi mes Rusisë dhe Ukrainë në Detin Azov”.

KS i OKB-së u mblodh me kërkesë të Rusisë në lidhje me tensionimin me Ukrainën

Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ambasadori Volodimir Yelchenko, ka bërë thirrje për rritje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Yelchenko u prononcua në interes të gazetarëve para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS i OKB-së), ku u diskutua për tensionin mes Rusisë dhe Ukrainës.

 

“Sanksionet kundër Rusisë duhet të rriten. Kjo është rruga e vetme, sepse Rusia nuk kupton me gjuhë tjetër”, deklaroi ambasadori Yelchenko.

Pas tensionit me Ukrainën në Detin Azov, Rusia kërkoi një mbledhje urgjente të KS të OKB-së.

Më 25 nëntor luftanijet ruse u ballafaquan në Detin Azov me luftanijet ukrainase. Luftanijet ruse ndërhynë ndaj atyre ukrainase me arsyetim se kanë bërë shkelje të ujërave territoriale të Rusisë.

Komanda e Forcave Detare të Ukrainës njoftoi se në zonën në afërsi të Ngushticës së Kerçit të Detit Azov, nga anija e sigurimit kufitar të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) është shtënë në drejtim të luftanijeve të Forcave Detare të Ukrainës me çrast si pasojë e të shtënave janë plagosur 6 ushtarë ukrainas, ndërsa luftanijet janë kapur nga njësitë speciale ruse.

Ndërkohë, KS i OKB-së u mblodh urgjentisht me thirrjen e Rusisë në lidhje me tensionimin në rritje mes dy vendeve.

 

Mirëpo pasi Rusia nuk mori përkrahjen e duhur të 9 nga 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për mbajtjen e mbledhjes në lidhje me “shkeljen e ujërave territoriale”, mbledhja u mbajt me temë “Tensionimi mes Rusisë dhe Ukrainë në Detin Azov”.

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në KS të OKB-së, ambasadorja Nikki Haley në deklaratën e bërë në emër të ShBA-së, Anglisë, Holandës, Polonisë dhe Suedisë, tha se këto vende përkrahin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, ndërsa shtoi se Këshilli “provokimet e Rusisë” nuk do ti shqyrtojë me temë “shkelje e ujërave territoriale”, por nën një temë tjetër në përputhje me rendin e ditës.

Ambasadorja amerikane deklaroi se Rusia gjatë fundjavës e rriti tensionin në mënyrë "të pamatur".

“Bllokimi rus i kalimit ligjor të Ukrainës nga Ngushtica e Kerçit paraqet shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Ky veprim arrogant duhet të dënohet nga shoqëria ndërkombëtare dhe kurrë nuk duhet të pranohet”, deklaroi Haley.

Zëvendësi i përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në OKB, ambasadori Dmitry Polyanskiy, akuzoi Ukrainën për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.  

“Është shumë e qartë që ky provokim është planifikuar shumë më herët dhe përkrahet nga shtetet perëndimore”, deklaroi ambasadori rus Dmitry Polyanskiy.

Ai në mes tjerash tha se “Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet ta mbajë përgjegjëse Ukrainën për aktet e rrezikshme”.



Lajme të ngjashme