Vendet më të rrezikshme për gratë, SHBA-ja i vetmi shtet perëndimor në 10-shen e parë

Sipas një studimi të ri nga Fondacioni “Thomson Reuters”, India është vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë një grua, ndërsa SHBA-ja është i vetmi shtet perëndimor në 10-shen e parë...

Vendet më të rrezikshme për gratë, SHBA-ja i vetmi shtet perëndimor në 10-shen e parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë renditur në 10-shen e parë të “vendeve më të rrezikshme për gratë”.

Një studim i ri nga Fondacioni “Thomson Reuters” ka zbuluar se India është vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë një grua.

Ky studim u bazua mbi një sondazh të 550 ekspertëve për çështjet e grave, të cilët arritën në përfundimin se India është vendi më i keq në aspektin e dhunës seksuale ndaj grave, trafikimit të qenieve njerëzore për punë shtëpiake, punës e martesës së detyruar, si dhe skllavërisë seksuale.

Sondazhi u krye nga muaji mars deri në maj të këtij viti me ekspertë nga Evropa, Afrika, Amerika, Azia Juglindore, Azia Jugore dhe Paqësori.

Mes të intervistuarve kishte profesionistë të fushës së ndihmës, akademikë, personel shëndetësor, punonjës të organizatave joqeveritare, politikëbërës, ekspertë të zhvillimit dhe opinionistë të jetës sociale.

India renditet si më e rrezikshmja gjithashtu për kërcënimet që gratë përballen nga praktikat kulturore dhe tradicionale, siç janë sulmet me acid, gjymtimi gjenital i femrave, abuzimi fizik dhe martesat e të miturve.

Të dhënat e qeverisë tregojnë se rastet e raportuara të krimeve kundër grave u rritën me 83% mes viteve 2007 dhe 2016, me katër raste të përdhunimit të raportuar çdo orë.

Vitet e fundit, krimet e dhunës seksuale të profilit të lartë kundër grave në Indi janë vendosur disa herë në qendër të vëmendjes. Më parë këtë vit, 8 burra hindu u akuzuan për përdhunim kolektiv të një vajze tetëvjeçare myslimane.

Indinë në listën e këtij studimi e ndjekin Afganistani, Siria, Somalia, Arabia Saudite, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Jemeni dhe Nigeria.

Ndërsa SHBA-ja, e cila u rendit në vendin e 10-të pas Nigerisë, u bë shteti i vetëm perëndimor që hyri në 10-shen e parë të vendeve më të rrezikshme për gratë.

Studimi e klasifikon SHBA-në në kategorinë “e rrezikshme” për gratë në kryefjalë si ngacmimi seksual, abuzimi seksual, dhuna seksuale dhe problemet e drejtësisë në proceset gjyqësore në lidhje me krimet seksuale në përgjithësi.

Në këtë studim, ku janë përpiluar edhe lista të veçanta në kategori të ndryshme, SHBA-ja ndan vendin e 3-të me Sirinë në “krimet e lidhura me abuzimet seksuale”.

Ekspertët drejtues të studimit theksojnë se ky studim ka bërë që opinioni publik, sidomos në SHBA, t’i kushtojë më tepër vëmendje krimeve të lidhura me ngacmimet seksuale duke shtuar se këtej e tutje SHBA-ja do të monitorohet nga afër në këtë fushë.

Gjatë viteve të fundit, në SHBA është regjistruar një rritje serioze e akuzave për abuzim dhe ngacmim seksual, sidomos ndaj të famshmëve të Hollivudit. Madje akuzat ndaj producentit Harvey Weinstein janë shndërruar në një fushatë ndërkombëtare të quajtur “MeeToo”.



Lajme të ngjashme