ShBA konfirmon patrullimin e koordinuar me Turqinë në Menbixh të Sirisë

“Shtetet e Bashkuara kanë filluar patrullimet e koordinuara, por të pavarura me Turqinë, pranë qytetit verior të Sirisë, Menbixh”,- ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Eric Pahon.

ShBA konfirmon patrullimin e koordinuar me Turqinë në Menbixh të Sirisë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), Eric Pahon, tha se ushtarët turq dhe amerikanë kanë filluar të patrullojnë “në mënyrë të koordinuar, por të pavarur” në qytetin Menbixh të Sirisë.

"Më 18 qershor trupat turke dhe amerikane kanë filluar aktivitetet e patrullimit të koordinuar, por të pavarur në përputhje me Udhërrëfyesin e Menbixhit dhe Parimet e Sigurisë në Menbixh. Të dyja vendet vazhdojnë të punojnë mbi aktivitetet e përbashkëta të patrullimit sipas qëllimit për të rritur bashkëpunimin në varësi të situatës në terren”, thuhet në deklaratën e Pahon.

Zëdhënësi i mbrojtjes amerikane theksoi se stabiliteti i Menbixhit është i rëndësishëm për operacionet që vazhdojnë kundër organizatës terroriste DAESH në Sirinë lindore.

"Aktivitetet e përbashkëta patrulluese janë një pjesë e rëndësishme e angazhimit të ShBA-së për të pasur stabilitet dhe siguri afatgjatë në Menbixh si dhe për të mbajtur premtimet që i janë dhënë Turqisë, si aleate në NATO”, vlerëson më tej Pahon në deklaratën e tij.

Edhe në deklaratën e bërë të hënën nga Forcat e Armatosura Turke (TSK), ishte njoftuar se trupat turke e amerikane kishin filluar në Menbixh aktivitetin e patrullimit të pavarur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Turqia kishin rënë dakord për tërheqjen e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK nga Menbixhi, një zonë që ndodhet në veri të Sirisë dhe në lindje të Lumit Eufrat dhe të cilën organizata e mban të pushtuar. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe homologu i tij amerikan Mike Pompeo në takimin që patën më 4 qershor (në ShBA) rikonfirmuan një udhërrëfyes të përbashkët (të hartuar nga Ankaraja dhe Uashingtoni), që përfshin edhe vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në Menbixh.

Plani parasheh gjithashtu që palët turke dhe amerikane të fillojnë në qytezë patrullimet e përbashkëta me elemente ushtarakë dhe të inteligjencës. Memorandumi përfshin edhe krijimin e një administrate të re të qeverisjes lokale të formuar nga elementë vendorë.

Qytezën Menbixh, e varur nga provinca e Halepit, organizata separatiste terroriste YPG/PKK e kishte pushtuar në gusht të vitit 2016, duke e marrë atë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nga kontrolli i organizatës terroriste DAESH. Me pretekstin e luftës kundër organizatës terroriste DAESH, ShBA-ja kishte vazhduar ndihmën dhe mbështetjen e saj ndaj YPG/PKK-së dhe i kishte premtuar Turqisë se pas spastrimit të qendrës së qytezës nga elementët e DAESH-it, forcat e YPG/PKK-së do të largoheshin nga Menbixhi, por nuk e kishte mbajtur këtë premtim.

Më shumë se 90 për qind e popullsisë së Menbixhit përbëhet nga arabët.

 


Lajme të ngjashme