Austria kërkon ndryshimin e rregullit në fuqi mbi lëvizjen e lirë në BE

Vjena zyrtare bëri me dije se është për ndryshimin e rregullit në fuqi, i cili u njeh qytetarëve të BE-së të drejtën për t’u bërë rezidentë dhe punuar lirshëm në cilindo shtet anëtar të Unionit që ata dëshirojnë...

Austria kërkon ndryshimin e rregullit në fuqi mbi lëvizjen e lirë në BE

Austria kërkoi të mërkurën hapjen për diskutim të rregullit mbi lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, deklaroi se Vjena zyrtare është për ndryshimin e rregullit në fuqi, i cili u njeh qytetarëve të BE-së të drejtën për t’u bërë rezidentë dhe punuar lirshëm në cilindo shtet anëtar të Unionit që ata dëshirojnë.

Pasi theksoi se lëvizja e lirë prodhon gjithashtu disa rezultate negative duke krijuar konkurrencën e “zëvendësimit” në tregun e punës, Strache, lider i Partisë së Lirisë së Austrisë (FPO), partnere e koalicionit të djathtë qeverisës, tërhoqi vëmendjen se zëvendësimi me fuqi punëtore më të lirë mund të rezultojë ndëshkim me papunësi për fuqinë punëtore të kualifikuar.

Sikurse lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, e drejta e lëvizjes së lirë individuale gjithashtu përbën një prej komponentëve bazë të Bashkimit Evropian. Zv/kancelari austriak tha se ky rregull nuk përputhet me kushtet e sotme, prandaj duhet të hapet për diskutim nëse tërheqja në Evropën Perëndimore e fuqisë punëtore të kualifikuar të Evropës Lindore është apo jo në dobi të zhvillimit të BE-së.

Ai propozoi që të gjenden zgjidhje të paktën pjesërisht rregulluese për të mirën e të gjitha palëve.

Në programin qeveritar të koalicionit të Partisë Popullore Austriake (OVP) me Partinë e Lirisë së Austrisë, edhe pse nënvizohet besnikëria ndaj BE-së, Kancelari Sebastian Kurz dhe zëvendësi Heinz-Christian Strache patën njoftuar vendosmërinë e tyre për të frenuar emigracionin dhe për ta nxjerrë Austrinë nga harta e vendeve joshëse për emigrantët.

Kujtojmë se Austria do të marrë nga Bullgaria presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti.



Lajme të ngjashme