Raportuesi i OKB-së: Vrasjet e qëllimshme të palestinezëve, krime lufte sipas Statutit të Romës

Raportues i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara Palestineze, Michael Lynk, deklaroi të premten se vrasjet dhe plagosjet e qëllimshme të protestuesve palestinezë përbëjnë krime lufte sipas Statutit të Romës...

Raportuesi i OKB-së: Vrasjet e qëllimshme të palestinezëve, krime lufte sipas Statutit të Romës

Raportues i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara Palestineze, Michael Lynk, deklaroi se vrasjet dhe plagosjet e qëllimshme të protestuesve palestinezë përbëjnë krime lufte sipas Statutit të Romës.

Të premten, në selinë e OKB-së në Gjenevë, filloi takimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut mbi shkeljet në territoret e pushtuara të Palestinës.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme, e cila është thirrur me mbështetjen e 26 prej gjithsej 47 anëtareve të Këshillit, raportuesi special, Michael Lynk, bëri me dije përmes një videokonference se ushtarët izraelitë kanë vrarë mbi 100 palestinezë dhe kanë plagosur 12.000 të tjerë në shtatë javët e fundit.

Lynk tha se fajtor kryesor për masakrat mbi palestinezët është ushtria izraelite dhe vendimmarrësit brenda qeverisë së këtij vendi.

Ai shtoi më tej se bashkësia ndërkombëtare do të duhet të ushtrojë presion më të madh mbi Izraelin për ta detyruar atë që të përmbushë detyrimet e tij, të cilat burojnë nga e drejta ndërkombëtare, ndërsa theksoi se palestinezët gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut, përfshi këtu edhe të drejtën për protesta paqësore.

Raportuesi special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara Palestineze vuri në pah se çdo dënim i sulmeve izraelite do të jetë frazë boshe derisa përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë.

“Më duhet patjetër të theksoj se ‘vrasja e qëllimshme’ e civilëve dhe ‘tortura apo plagosja e qëllimshme’ paraqesin shkelje flagrante të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte sipas Statutit të Romës”, tha Lynk.

Sipas paralajmërimit, pas fjalimeve në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, do të votohet për një projektrezolutë kundër Izraelit, i propozuar me mbështetjen e Turqisë.

Seanca e fundit e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ishte ajo e datës 5 dhjetor 2017, për vrasjet e myslimanëve rohingianë në Mianmar.



Lajme të ngjashme