Izrael – Netanyahu: Irani “kaloi vijën e kuqe”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të enjten vonë se Irani “kaloi vijën e kuqe” duke sulmuar Izraelin me raketa nga territoret e Sirisë...

Izrael – Netanyahu: Irani “kaloi vijën e kuqe”

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Kryeministrisë izraelite në rrjetin social “Facebook”, Netanyahu thekson se Irani ka organizuar nga Siria mbrëmjen e së mërkurës sulme raketore kundër Izraelit, por asnjë raketë nuk ka rënë në territoret izraelite.

“Irani kaloi vijë e kuqe dhe ne u kundërpërgjigjëm shumëfish. Ushtria izraelite ndërmori një ofensivë ajrore të shkallës së gjerë kundër objektivave të forcave iraniane në Siri”, shkruan ai duke njoftuar se aksioni i Iranit ka dështuar falë dislokimit të saktë sulmues dhe mbrojtës të Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF).

Netanyahu rikujton në vijim të komunikatës se regjimit të Esadit i është dërguar një mesazh i qartë dy ditë më parë.

“Aksioni ynë është drejtuar kundër objektivave iranianë në Siri; megjithatë, nëse ushtria siriane vepron kundër nesh, edhe ne do të veprojmë kundër saj. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi të mërkurën: Bateritë ushtarake siriane lëshuan raketa tokë-ajër kundër nesh, prandaj dhe ne i sulmuam ato”, shton shefi i Tel-Avivit zyrtar.

Izraeli, vend që pretendon se Forca e Kudsit (Jerusalemit), një prej njësive speciale të Gardës Revolucionare të Iranit, ka hedhur të mërkurën nga Siria rreth 20 raketa në drejtim të bazave në Lartësitë e Golanit, territor i pushtuar nga forcat izraelite, është kundërpërgjigjur ndaj këtij sulmi duke goditur me avionë luftarakë shumë pika të dislokimit të forcave iraniane në Siri.

Në reagimin e parë zyrtar të Iranit lidhur me sulmet nga Siria të forcave iraniane kundër bazave izraelite, Mohammad-Javad Jamali Nobandegani, një anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të Parlamentit iranian, i hodhi poshtë këto pretendime duke i quajtur “skenarë të rremë”.



Lajme të ngjashme