Shënim – Një samit historik ndërkorean zgjon shpresat e paqes

E ardhmja e arsenalit atomik të Phenianit pritet të jetë në qendër të diskutimeve midis dy liderëve, të cilët do të trajtojnë gjithashtu çështjen e një traktati paqeje për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës së 1950-1953...

Shënim – Një samit historik ndërkorean zgjon shpresat e paqes

Lideri koreanoverior, Kim Jong-Un, do të ndërmarrë të premten një veprim historik në vizitën e parë në Jug për të mbajtur një samit me Presidentin koreanojugor, Moon Jae-In, që synon të konkretizojë shpresat e paqes midis dy fqinjëve pas një afrimi diplomatik në fillim të vitit.

E ardhmja e arsenalit bërthamor të Phenianit pritet të jetë në qendër të diskutimeve midis dy liderëve, të cilët do të trajtojnë gjithashtu çështjen e një traktati paqeje për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës së 1950-1953.

Ndër të tjera, është hera e parë që një lider koreanoverior viziton Jugun prej armëpushimit të nënshkruar rreth 65 vite më parë. Dy samitet e para ndërkoreane, në vitin 2000 dhe 2007, u mbajtën në Phenian.

Ky takim në Panmunjom, "qyteza e armëpushimit", pritet t’i hapë rrugë një samiti edhe më të shumëpritur, disa javë më vonë, midis Presidentit koreanoverior Kim Jong-Un dhe atij amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan pranoi propozimin koreanoverior për organizimin e një samiti dhe Kim vizitoi në muajin mars Pekinin, vizita e tij të parë zyrtare jashtë vendit prej marrjes së pushtetit në fund të vitit 2011.

"Shpatë e çmuar"

Askush nuk do të kishte vënë bast për një skenar të tillë në fund të vitit të kaluar, në momentin kur Koreja e Veriut pritej të kryente testin e saj të gjashtë bërthamor dhe te rriste ndjeshëm lëshimet e raketave me kërcënimin se do të godiste SHBA-në me "zjarr atomik" në sfondin e shkëmbimeve të ofendimeve midis Trumpit dhe Kimit.

Ndërsa Pheniani po orientohej drejt çeshtjes bërthamore, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ashpërsoi sanksionet në vitin 2016 dhe 2017.

Uashingtoni i kërkon Phenianit që të heqë dorë nga armët bërthamore, të cilat regjimi koreanoverior i konsideron si një "shpatë të çmuar", një formë sigurie për jetën përballë kërcënimeve amerikane për pushtim.

Të shtunën, Kim njoftoi një moratorium për testet bërthamore dhe lëshimet e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi duke konfirmuar se objektivat ishin arritur.

Arsyetime të kundërta

Çështja më urgjente për Trumpin është të pengojë Korenë e Veriut për ideimin e një rakete ndërkontinentale. Për Korenë e Veriut bëhet fjalë për të shmangur sulmet amerikane dhe për të negociuar në pozitën e një fuqie bërthamore për të përmirësuar ekonominë.

Koreja e Jugut kërkon të çojë Veriun dhe SHBA-në për të dialoguar për arritjen e një zgjidhje paqësore dhe forcuar lidhjet ndërkoreane.

Dhe në botën e koklavitur të diplomacisë koreane, një shprehje e njëjtë mund të kuptohet krejt ndryshe.

Dy samitet e mëparshme, në vitin 2000 dhe 2007, nuk e penguan Phenianin për të vijuar një program bërthamor që regjistroi një përshpejtim të konsiderueshëm nën drejtimin e Presidentit Kim Jong-Un.

"Mundet që ky i fundit të vetëndihet tashmë në një pozitë të favorshme, por mundet gjithashtu që sanksionet gjithnjë e më të ashpra ta kenë bërë më të predispozuar se kurrë për të bërë kompromise", sipas Hong Min, ekspert në Institutin për Unifikimin Kombëtar në Korenë e Jugut.

Një skenar ideal, vijon ai, do të ishte që Kimi të shprehë të premten një angazhim të qartë për denuklearizimin, ku detajet, një kalendar i inspektimeve të OKB-së, do të trajtohen gjatë samitit me Trumpin. /ATSH



Lajme të ngjashme