Afganistan – Të paktën 31 të vdekur pas një sulmi vetëvrasës në Kabul

Një sulm vetëvrasës i DAESH-it ndaj një qendre regjistrimi për zgjedhjet legjislative në Afganistan ka shkaktuar vdekjen e së paku 31 civilëve dhe plagosjen e 54 të tjerëve në Kabul...

Afganistan – Të paktën 31 të vdekur pas një sulmi vetëvrasës në Kabul

Së paku 31 civilë u vranë dhe 54 të tjerë u plagosën në Kabul pas një sulmi vetëvrasës ndaj një qendre regjistrimi për zgjedhjet legjislative, sipas Ministrisë afgane të Shëndetësisë, sulm që konfirmon rreziqet e dhunës në kuadër të zgjedhjeve të parashikuara më 20 tetor.

Një kamikaz hodhi veten në erë mes turmës, në hyrje të qendrës, ku zgjedhësit merrnin dokumentet e tyre të identitetit para se të regjistroheshin në regjistrat zgjedhorë.

Sipas kreut të Drejtorisë së Regjistrimit të Popullsisë, Humayun Mohtaat, sulmi në zyrën e regjistrimit të votuesve u zhvillua në zonën e quajtur Dasht Barchi, në anën perëndimore të kryeqytetit, jashtë zonës së mbrojtur diplomatike dhe qeveritare.

Regjistrimi për zgjedhjet e shumëpritura lokale dhe parlamentare në Afganistan filloi javën e shkuar.

Ky është sulmi i tretë gjatë javës së fundit kundër procesit të regjistrimit të votuesve në Afganistan dhe njëherësh më i madhi.

Nëpërmjet një faqeje propagande, organizata terroriste DAESH mori përsipër përgjegjësinë e sulmit kamikaz.

Talibanët, që po inkurajojnë afganët për të marrë pjesë në zgjedhje, ishin në mesin e të dyshuarve në lidhje me sulmin, por një zëdhënës shkroi në “Twitter” se grupi nuk ishte i përfshirë.

Dasht Barchi ka një popullsi të konsiderueshme të komunitetit Hazara, shiitë në shënjestër të terroristëve të DAESH-it.

Ndërkaq, Presidenti Mohammad Ashraf Ghani dënoi sulmin vdekjeprurës në Kabul.

“Uroj mëshirën e Allahut për martirët, shërim të shpejtë për të plagosurit dhe përcjell ngushëllimet e mia të thella për familjet e viktimave”, tha ai në një deklaratë të shkruar.



Lajme të ngjashme