Gjermani – Presidenti Steinmeier propozon Kancelaren Merkel në krye të qeverisë së re

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka propozuar të hënën zyrtarisht emrin e kryetares së Unionit Demokristian (CDU), Angela Merkel, për postin e drejtuesit të Kancelarisë...

923169
Gjermani – Presidenti Steinmeier propozon Kancelaren Merkel në krye të qeverisë së re

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka propozuar të hënën zyrtarisht emrin e kryetares së Unionit Demokristian (CDU), Angela Merkel, për postin e drejtuesit të Kancelarisë.

Siç bën të ditur Presidenca gjermane përmes një komunikate të shkruar, Steinmeier i ka propozuar Bundestagut emrin e Merkelit si kandidate për kreun e qeverisë.

Angela Merkel pritet të rizgjidhet për herë të 4-t si kancelare e Gjermanisë nga Dhoma e Ulët e Bundestagut në seancën e parashikuar të mbahet më datë 14 mars.

Nga ana tjetër, Kancelarja Angela Merkel deklaroi po të hënën nga “Konrad Adenauer Haus”, selia e forcës së saj politike, se pret me padurim për të nisur punën me qeverinë e re, një ditë pasi anëtarët e Partisë Socialdemokrate (SPD) të qendrës së majtë votuan për t’u bashkuar në një koalicion me bllokun e saj konservator.

“Është e rëndësishme që ne të fillojmë sa më shpejt punën”, deklaroi ajo pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të CDU-së në Berlin.

Merkel tha se shpresonte që të rizgjidhej, siç ishte planifikuar, duke shtuar se ajo do të përdorte të gjithë fuqinë e saj që kjo qeveri të funksiononte plotësisht për popullin gjerman.

“Votimi pro i dy të tretave të anëtarësimit të SPD-së hodhi themelet e një baze të mirë për punën e ndërsjellë të qeverisë”, deklaroi Merkel.

Ajo shtoi se tani është mirë dhe e rëndësishme që kjo punë të fillojë brenda dy ditëve.

“Pothuajse gjashtë muaj pas ditës së zgjedhjeve, është e drejta e popullit gjerman që ne si qeveri të zbatojmë ato që kemi premtuar”, përfundoi Merkel.



Lajme të ngjashme