SHBA – Qeveria federale mbyllet për herë të dytë në më pak se një muaj

Qeveria amerikane është mbyllur zyrtarisht për herë të dytë këtë vit, pasi Kongresi dështoi të votojë brenda afatit një masë të rëndësishme buxhetore...

SHBA – Qeveria federale mbyllet për herë të dytë në më pak se një muaj

Qeveria amerikane është mbyllur zyrtarisht për herë të dytë këtë vit, pasi Kongresi dështoi të votojë brenda afatit një masë të rëndësishme buxhetore. 

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës votoi herët mëngjesin e së premtes për të miratuar një projektligj të kombinuar për të financuar qeverinë deri më 23 mars dhe një buxhet federal dyvjeçar.

Ligji tashmë i ka kaluar Dhomës së Përfaqësuesve, e cila pritet të votojë ditën e premte. Një ditë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve e kishte miratuar këtë draft me 245 vota pro dhe 182 kundër.

Me përjashtim të funksioneve thelbësore, pjesa dërrmuese e institucioneve shtetërore u mbyllën të enjten në mesnatë, pasi Kongresi nuk arriti të përmbushë afatin për të ripërtërirë fondet e qeverisë federale.

Ligji për të cilin votuan pro 71 senatorë dhe 28 ishin kundër, u zvarrit në Senat mbrëmjen e së enjtes meqë njëri nga kundërshtarët e tij, senatori republikan, Rand Paul, refuzonte votimin e përshpejtuar. Ai tha se ky buxhet dyvjeçar do të “plaçkiste thesarin” duke shkaktuar 1 trilion dollarë deficit.

Plani me 600 faqe propozon një rritje të shpenzimeve ushtarake të mbrojtjes dhe për shërbimet brendshme me rreth 300 miliardë dollarë.

Mbyllja për 1 javë e qeverisë federale në SHBA shkakton mbi 6 miliardë dollarë dëme në ekonominë e vendit.

Ky është rasti i dytë i mbylljes së pjesshme të qeverisë gjatë mandatit Trump në më pak se një muaj.

Demokratët bllokuan në janar një projektligj financimi duke shkaktuar një mbyllje treditore të qeverisë federale, kryesisht për shkak të politikave të reja të presidentit aktual për të zgjeruar pushtetin e tij dhe afrimit të datës së skadimit të Programit DACA, miratuar nga administrata e ish-presidentit Barack Obama për emigrantët pa dokumente që kanë hyrë në SHBA në moshë të mitur.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë u kërkoi institucioneve shtetërore të bëhen gati për mbylljen, Presidenti Donald Trump tha se do të ishte e drejtë që institucionet shtetërore të mos punojnë në rast se nuk ndryshon sistemi i emigracionit.

Mbyllja e mëparshme e qeverisë federale nisi më 20 janar, datë kjo që shënoi përvjetorin e parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa rifilloi punë më 23 janar.



Lajme të ngjashme