Indonezi – Të paktën 8 të vdekur nga përmbysja e një motobarke në lumin Sesayap

Një motobarkë me 45 pasagjerë në bord u fundos të hënën në lumin Sesayap, në pjesën veriore të Indonezisë, duke lënë 8 persona të vdekur dhe 6 të tjerë të humbur...

Indonezi – Të paktën 8 të vdekur nga përmbysja e një motobarke në lumin Sesayap

Një motobarkë me 45 pasagjerë në bord u fundos të hënën në lumin Sesayap, në pjesën veriore të Indonezisë, duke lënë 8 persona të vdekur dhe 6 të tjerë të humbur.

Siç bën të ditur Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në Indonezi (BASARNAS), mes pasagjerëve në bordin e motobarkës së mbytur ishin edhe 5 fëmijë.

Drejtori i Rojës Bregdetare të Indonezisë, Kapiteni Jhonny R. Silalahi, bëri me dije se 31 të mbijetuar ishin shpëtuar dhe 8 trupa të pajetë ishin gjetur në provincën Borneo Veriore.

“Ne vazhdojmë kërkimin e të zhdukurve, ndërkohë që po transferojmë të plagosurit në spitalin më të afërt”, deklaroi Silalahi për mediat lokale.

Motobarka e quajtur “Anugrah Ekspress” u nis të hënën në mëngjes nga Tanjung Selor, por u përplas me një trung peme pas 10 minutash udhëtim dhe si pasojë u përmbys.

“Policia po heton incidentin”, theksoi shefi i Rojës Bregdetare.

Rrugët ujore të Indonezisë shërbejnë si një formë e përhapur e transportit në disa zona të arkipelagut, ku aksidentet e shkaktuara nga anijet e tejmbushura dhe mungesa e standardeve të sigurisë janë të zakonshme.

Në janar të vitit të kaluar, 23 vetë humbën jetën kur një zjarr shpërtheu në një anije me turistë, që lundronte nga kryeqyteti Xhakartë për në ishullin turistik, Tidung.



Lajme të ngjashme