KRG-ja njofton pezullimin e zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të 1 nëntorit

Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve dhe Referendumit në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG) njoftoi të mërkurën në mbrëmje pezullimin e përgatitjeve për zgjedhjet presidenciale dhe legjislative, në plan të mbaheshin pas 2 javësh...

KRG-ja njofton pezullimin e zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të 1 nëntorit

“Të gjitha përgatitjet në lidhje me zgjedhjet, të cilat ishin në plan të mbaheshin më datë 1 nëntor, janë pezulluar përkohësisht si pasojë e zhvillimeve të fundit rajonale dhe mungesës së kandidatëve”, tha komisioni zgjedhor i KRG-së përmes një komunikate.

E njëjta komunikatë thekson se Parlamenti i KRG-së do të takohet për të vendosur se kur do të rifillojnë përgatitjet për votimet.

Njoftimi ka nxitur disa spekulime se zgjedhjet presidenciale dhe legjislative të KRG-së mund të shtyhen krejtësisht si pasojë e paqëndrueshmërisë së shkaktuar nga referendumi i paligjshëm i muajit të kaluar mbi pavarësinë rajonale kurde.

Më 25 shtator, irakianët në zonat e kontrolluara nga KRG-ja dhe në ato të kontestuara midis Bagdadit dhe Erbilit votuan nëse do të deklaronin ose jo autonomi të plotë politike nga Iraku.

Sipas rezultateve të shpallura nga KRG-ja, pothuajse 93 për qind e zgjedhësve votuan në favor të pavarësisë.

Referendumi i jashtëligjshëm u përball me kundërshtime të forta nga shumica e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshi këtu SHBA-në, Turqinë dhe Iranin, shtete që kishin paralajmëruar se ky votim do të zhvendoste vëmendjen nga lufta kundër terrorizmit në Irak dhe do të destabilizonte më tej rajonin tashmë të paqëndrueshëm.

Në përgjigje të referendumit të paligjshëm të muajit të kaluar, forcat e armatosura të Irakut në ditët e fundit janë vendosur në Kirkuk dhe zona të tjera të diskutueshme pas tërheqjes së forcave peshmerge të KRG-së.



Lajme të ngjashme