Irak – Abadi: Do të shtojmë dhe forcojmë masat e nevojshme kundër përgjegjësve të referendumit

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, njoftoi të hënën vonë se Bagdadi zyrtar do të shtojë dhe forcojë masat e nevojshme kundër autoriteteve me përgjegjësi në realizimin e referendumit ilegal në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG)...

Irak – Abadi: Do të shtojmë dhe forcojmë masat e nevojshme kundër përgjegjësve të referendumit

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, njoftoi të hënën vonë se Bagdadi zyrtar do të shtojë dhe forcojë masat e nevojshme kundër autoriteteve me përgjegjësi në realizimin e referendumit ilegal në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG).

“Mbajtja e referendumit ishte një rrezik i madh dhe kjo u bë pavarësisht vendimit (kundër) të Gjykatës Federale. Është antikushtetues dhe s’do t’i njohim rezultatet e tij”, deklaroi Haider al-Abadi gjatë një vizite në Komandën e Operacioneve të Përbashkëta në kryeqytetin irakian.

Shefi i Bagdadit zyrtar vuri në pah se referendumi u realizua pa asnjë mbështetje ndërkombëtare dhe shtoi: “Është interesante se si ata, që vendosën për referendumin, i cili u mbajt pa kurrfarë vëzhgimi, edhe rezultatet e tij i shpallën vetë. Rezultatet e këtij nuk do t’i flasim, s’do t’i diskutojmë dhe nuk do t’i njohim kurrë.”

Abadi bëri me dije gjithashtu se qeveria qendrore do të ndërmarrë hapa të reja në lidhje me shkeljen, që përbën ky referendum.

“Për fat të keq, referendumi aktivizoi ndjenjat me baza sektare dhe etnike. Megjithatë ne s’do të heqim dorë nga siguria e qytetarëve tanë kurdë; por, ndërkaq, do të kërkojë llogari edhe nga përgjegjësit e referendumit. Do të shtojmë/forcojmë më shumë masat kundër tyre gjithashtu. Madje do të ushtrojmë të gjitha kompetencat tona federale në KRG dhe do të garantojmë sigurinë e qytetarëve tanë atje. Kemi marrë ankesa të shumta nga qytetarët e tri provincave nën kontrollin e KRG-së dhe zonave të diskutueshme se ata janë detyruar me forcë që të votojnë, se ka pasur një numër të madh manipulimesh, madje dhe se janë detyruar me forcë që të emigrojnë gjatë referendumit. Derisa të zgjidhen me rrugë kushtetuese, juridiksionit të qeverisë qendrore duhet t’i kthehen edhe zonat e diskutueshme. Nuk e pranojmë themelimin e shtetit racist e sektar”, nënvizoi mes të tjerash Kryeministri irakian, Haider al-Abadi.



Lajme të ngjashme