Siri - Said: Nuk mund të parandalojmë humbjen e jetëve të civilëve

Kreu i Mbrojtjes Civile Siriane, Raid Salih, tha se nuk kanë mundësi të parandalojnë humbjen e jetëve në një sulm të mundshëm me armë kimike.

Siri - Said: Nuk mund të parandalojmë humbjen e jetëve të civilëve

Në një prononcim Salih vlerësoi deklaratën e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes se "regjimi po përgatitet për një sulm të madh me armë kimike”. 

Duke vënë në dukje se kjo deklaratë ka shqetësuar civilët të cilët jetojnë në rajonet të cilat ndodhen nën kontrollin e opozitarëve, Salih tha se “Nuk po mund t’i parashikojmë vendet ku regjimi mund të godasë. Për fat të keq ne nuk kemi mundësi dhe përgatitje për parandalim. Ne kemi një kuadër të vogël të pajisur. Ekipi në rajonin e Idlibit nuk ka më shumë se 10 persona. Nuk kemi mjete të mjaftueshme. Nuk kemi vende për të ndërhyrë ndaj sulmeve”. 

Salih theksoi se detyra e ekipeve të mbrojtjes civile është që ta bëjnë ndërhyrjen e parë pas sulmit. “Në qoftë se ndodh një sulm i tillë për fat të keq një numër i madh i civilëve do të vdesin. Nuk ka kushte të mjaftueshme në qendrat shëndetësore që ndodhen nën kontrollin e opozitarëve”.

Duke u shprehur se masat e marra kundër sulmeve kimike janë të kufizuara me vetëdijesimin e civilëve, Salih tha se “Pas sulmit në Han Shejhun ne organizuam seminare për t’i vetëdijesuar qytetarët dhe për t’iu treguar se çfarë duhet të bëjnë për të mbetur gjallë pas sulmit. Ne dhamë edhe trajnime për ekipet. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveç që t’i mësojmë qytetarët dhe ekipet tani se si të mbesin gjallë. Ne detyrohemi ta presim vdekjen”. 

Salih duke rikujtuar se edhe ekipet e mbrojtjes civile preken nga sulmet kimike tha se “Së paku 20 anëtarë të këtyre ekipeve në Han Shejhun ishin prekur nga sulmi. Ne po frikësohemi shumë nga masakrat civile që mund të dalin pas një sulmi tjetër. Po shqetësohemi që si objektiv i sulmeve do të merren edhe spitalet. Në sulmin e SHBA-ve në bazën Shajrat kjo bazë nuk u çaktivizua. Të them të drejtën ai sulm i SHBA-ve ishte vetëm një mesazh politik”.

 

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, më 26 qershor ka bërë të ditur se Shtëpia e Bardhë ka prova "të mundshme" që sugjerojnë se regjimi sirian është duke përgatitur sulm të ri me armë kimike.

Kurse edhe zëdhënësi i Pentagonit, major Adrian Rankine Galloway një ditë më pas kishte njoftuar se përgatitje po bëhen në bazën Shajrat.

Ndryshe, regjimi i Asadit më 4 prill kishte kryer masakër me armë kimike në Han Shejhun të Idlibit, nëpërmjet avionëve të cilët u nisën nga baza Shajrat në Humus. Si pasojë e këtij sulmi, të paktën 100 persona humbën jetën, kurse më shumë se 500 ishin plagosur. Pas kësaj, më 7 prill SHBA-ja kishte realizuar një sulm ndaj Shajratit. 



Lajme të ngjashme