Francë – Macron kërkon zgjatjen e gjashtë të gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i ri i Francës, Emanyel Makron (Emmanuel Macron), do t’i parashtrojë një kërkesë Parlamentit për të zgjatur deri më 1 nëntor gjendjen e jashtëzakonshme, e cila u shpall pas sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Paris...

Francë – Macron kërkon zgjatjen e gjashtë të gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i ri i Francës, Emanyel Makron (Emmanuel Macron), do t’i parashtrojë një kërkesë Parlamentit për të zgjatur deri më 1 nëntor gjendjen e jashtëzakonshme, e cila u shpall pas sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Paris.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Francës u mblodh të mërkurën në Pallatin Elize, nën drejtimin e Presidentit Makron; një takim i nxitur ky nga sulmi terrorist i fundit në Mançester të Britanisë së Madhe.

Gjendja e jashtëzakonshme e dekretuar që në fund të vitit 2015 pas sulmeve terroriste më tragjike të shënuara më parë në territorin francez, me pasojë 130 të vdekur, është zgjatur pesë herë radhazi dhe pritej që të hiqej në mes të muajit korrik.

Mirëpo Presidenti Makron, përveçse do t'i parashtrojë një kërkesë Parlamentit për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 1 nëntor, i kërkoi qeverisë për të propozuar masa për forcimin e sigurisë përballë kërcënimit terrorist edhe jashtë gjendjes së jashtëzakonshme, në mënyrë që teksti legjislativ të përgatitet në javët e ardhshme.

Sipas një njoftimi të Presidencës franceze, Makroni kërkoi edhe një ligj të ri për të luftuar kundër kërcënimit terrorist.

Presidenti i qendrës, 39 vjeç, në detyrë zyrtarisht që prej datës 7 maj, dha udhëzime për vënien në punë të qendrës së koordinimit të shërbimeve të angazhuara në luftën kundër terrorizmit, ku organizata do të mbyllë veprimtarinë në fillim të qershorit, saktësuan burime nga Pallati Elize.



Lajme të ngjashme