Opozita e armatosur siriane: Përfshirja e PYD/PKK-së në Raka, një rrezik i madh

Përfaqësuesit e opozitës së armatosur siriane deklaruan se do ishte një rrezik  madh nëse misioni i çlirimit të Rakas nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH do t’i jepej organizatës terroriste e separatiste PYD/PKK...

Opozita e armatosur siriane: Përfshirja e PYD/PKK-së në Raka, një rrezik i madh

Opozitarët ushtarakë pjesëmarrës në raundin e 4-t të bisedimeve për Sirinë, në qytetin Gjenevë të Zvicrës, deklaruan se do ishte një rrezik  madh nëse misioni i çlirimit të Rakas nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH do t’i jepej organizatës terroriste e separatiste PYD/PKK.

Ata theksuan se operacioni në fjalë duhet të ndërmerret nga Ushtria e Lirë Sirianë (FSA).

Faiz al-Asmar, një nga komandantët e FSA-së dhe njëherësh anëtar i delegacionit përfaqësues të opozitës ushtarake siriane pjesëmarrëse në bisedimet për Sirinë, të cilat vijojnë në Gjenevë nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tërhoqi vëmendjen se forcat e regjimit të Esadit, që po avancojnë në pjesën lindore të Halepit, drejt Manbixhit, të hënën kanë rrethuar nga zonat jugore qytetin e Al-Babit, i cili është nën kontrollin e Ushtrisë së Lirë Siriane.

“PYD-ja dhe regjimi formuan një barrierë që operacioni ushtarak ‘Mburoja e Eufratit’ të mos mbërrijë në Raka. Ndërmjet PYD-së dhe regjimit të Esadit ka një marrëveshje në lidhje me operacionin në Raka dhe kjo mbështetet gjithashtu nga Rusia”, u shpreh Al-Asmar.

Regjimi – theksoi ai – do të tentojë të përparojë në drejtim të Rakas përmes qytezave Dayr Hafir, Maskanah dhe Tabka, të cilat ndodhen në periferitë lindore të Halepit.

“Në të njëjtën kohë, regjimi do të përpiqet që të avancojë edhe në shkretëtirë, nga ana e Tadmurit (Palmira). Kurse PYD-ja është duke u përpjekur për të përparuar që tani nga verilindja dhe veriperëndimi i Rakas. Regjimi dhe PYD-ja në këtë mënyrë do të kenë mundësinë për të sulmuar Rakan edhe nga veriu, edhe nga perëndimi, edhe nga jugu. Nëse FSA-ja e mbështetur nga Forcat e Armatosura të Turqisë do të hyjnë në Raka përmes Tell Abyadit, atëherë do të hapet një korridor. Pikërisht këtu do të nevojitet koordinim me PYD-në. Duke qenë se edhe regjimi do të shkojë në Raka, koordinimi do të jetë i domosdoshëm gjithashtu me forcat besnike të Esadit dhe kjo gjë do të vendosë Ushtrinë e Lirë Siriane në pozita të vështira”, shtoi Faiz al-Asmar.

Kurse Hasan al-Ibrahim, përfaqësues i Frontit Jugor të FSA-së, tha se çlirimi i Al-Babit nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH përbën shembull në luftën kundër terrorizmit.

“Me lejen e Zotit, bashkëpunimi ndërmjet Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Ushtrisë së Lirë Siriane do të transferohet edhe në Raka për ta nxjerrë DAESH-in plotësisht jashtë Sirisë”, siguroi ai.

Pasi nënvizoi se do të ishte tepër e rrezikshme që PYD/PKK-ja të ndërmarrë e vetme një ofensivë në Raka, Hasan al-Ibrahim u prononcua me këto fjalë: “Një sulm i mundshëm i PYD-së në Raka do të shtyjë në qorrsokak situatën në këtë qytet, sepse ju nuk mund të mos llogarisni dhe të shpërfillni arabët e zonës.”

Si rezultat – konkludoi ai – hyrja e PYD-së në qytet do të shkaktojë një efekt shumë negativ dhe padyshim që do të thellojë akoma më shumë problemin.



Lajme të ngjashme