SHBA – Donald Trump e nis me vrull, takim me punonjësit e CIA-s

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka nisur me vrull funksionin e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë...

SHBA – Donald Trump e nis me vrull, takim me punonjësit e CIA-s

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka nisur me vrull funksionin e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Mëngjesin e parë të presidencës së tij, Donald Trump mori pjesë në meshën e organizuar në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, i shoqëruar edhe nga ndihmëspresidenti Mike Pence.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e 26 besimeve fetare të njohura në SHBA, myslimanët u përfaqësuan nga Imam Magid, president i “ADAMS Center”, një nga organizatat më influencuese në vend.

Stacioni i dytë i Presidentit Trump dhe zv/presidentit Pence ishte selia e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Virginia.

Kjo vizitë ngjalli kureshtje të madhe për shkak të lajmeve gjatë fushatës elektorale kinse Trumpi ushqente urrejtje ndaj CIA-s.

Ai është shprehur se mediat kanë krijuar një perceptim të gabuar sikur ai vetë ka një urrejtje ndaj institucioneve të inteligjencës dhe ka shtuar se është pranë CIA-s.

“Unë jam 1.000 për qind me ju. Askush nuk ka ndjenja më të forta se Donald Trumpi për institucionin e inteligjencës dhe CIA-n. Jam pranë jush dhe do t’ju mbështes akoma më shumë”, ka thënë kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë takimit me punonjësit e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.

Ndër të tjera, duke akuzuar median amerikane për mungesë sinqeriteti, Trump ka vijuar me këto fjalë: “E dini se kam një luftë, që vazhdon, me median. Ato janë më të padenjat mbi Tokë. Pretendojnë se ndërmjet meje dhe institucioneve të inteligjencës ka një urrejtje. Shkaku i pranisë time këtu është kundërshtimi i këtyre pretendimeve.”

“Ju respektoj. Ne do të fillojmë përsëri të fitojmë dhe ju do të jeni në krye të kësaj”, ka shtuar ai në takimin, ku morën pjesë rreth 400 punonjës të CIA-s.

Nga ana tjetër, Donald Trumpi tregoi se nuk dëshiron aspak të humbasë kohë duke nisur bisedat telefonike me liderët që në ditën e parë të detyrës së tij.

Lideri i ri amerikan bisedoi në telefon me homologun meksikan, Pena Nieto, në kufi me vendin e të cilit ka premtuar se do të ndërtojë një mur.

Dy presidentët ranë dakord për të realizuar një takim kokë më kokë sa më parë të jetë e mundur dhe theksuan se një dialog i ri do të prodhojë rezultate pozitive për të dyja shtetet.

Më pas, presidenti amerikan zhvilloi një bisedë telefonike gjithashtu me Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

Sipas burimeve nga Uashingtoni zyrtar, bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë mbi tregtinë SHBA-Kanada.



Lajme të ngjashme