Kush do të jetë kryetari i ri i Parlamentit Evropian

Fituesin e zgjedhjeve, ku marrin pjesë tetë grupe, që nga e majta ekstreme deri te e djathta ekstreme, do ta përcaktojnë marrëveshjet dhe koalicionet mes grupeve.

Kush do të jetë kryetari i ri i Parlamentit Evropian
Arnavutça yeni Avrupa Parlamentosu Başkan seçimleri.jpg

Emri i Kryetarit të ri të Parlamentit Evropian (PE) do të bëhet i ditur pas zgjedhjeve që do të mbahen ditën e martë. Fituesin e zgjedhjeve, ku marrin pjesë tetë grupe, që nga e majta ekstreme deri te e djathta ekstreme, do ta përcaktojnë marrëveshjet dhe koalicionet mes grupeve.

Ka arritur drejt fundit procesi, i cili filloi pasi kryetari aktul i PE-së Martin Schulz deklaroi se nuk do të rikandidojë. Zgjedhjet për kryetarin e PE-së do të mbahen në Strazburg më 17 janar. Procedura e votimit do të fillojë pas fjalimeve të kandidatëve.

Nuk priten rezultate në raundet e para

Në tri raundet e para të zgjedhjeve do të kërkohet shumica absolute. Votimi do të zhvillohet i fshehur në mënyrë që të kufizohet ndikimi i grupeve mbi anëtarët e tyre. Nëse në tri raundet e para nuk arrihet shumica absolute, atëherë do të mbahet raundi i katërt dhe i fundit. Kësaj radhe do të garojnë dy kandidatë me numrin më të madh të votave dhe për zgjedhjen e njërit do të kërkohet shumica e thjeshtë. Në krahasim me zgjedhjet në vitin 2014, kësaj radhe pritet që zgjedhjet të shkojnë deri në raundin e fundit për shkak se grupet para zgjedhjeve nuk mundën të arrijnë marrëveshje për kandidatët.

Rrjedhimisht, në zgjedhjet për kryetar të PE-së tetë grupe kanë marrë vendimin që të garojnë me kandidatë të tyre. Megjithëkëtë, raundi i fundit i zgjedhjeve pritet të zhvillohet mes italianit Antonio Tajani, kandidat nga Partia Popullore Evropiane (EPP) – struktura çati e demokristianëve, dhe liderit italian të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Gianni Pittella.

Kandidatë nga e majta ekstreme deri te e djathta ekstreme

Edhe e majta ekstreme dhe komunistët do të marrin pjesë në zgjedhje me një italiane. Në zgjedhje, kandidate e grupit e Majta e Bashkuar Evropiane-e Majta Nordike e Gjelbër (GUE-NGL) do të jetë Eleonora Forenza. Kandidatja e këtij grupi, disa anëtarë të së cilit kanë kërkuar largimin e PKK-së nga lista e organizatave terroriste të BE-së, nuk ka gjasa për fitore. Megjithatë, socialisti Pittella ka nevojë për mbështetjen e grupit në mënyrë që të mund të dalë fitues.

Parashikohet që lideri i S&D-së Pitella të marrë thuajse të gjithë 189 votat e grupit të tij. Nëse nuk arrin koalicion me EPP-në, ai ka nevojë për mbështetjen e të gjitha grupeve me tendenca të majtë, përfshirë edhe të majtën ekstreme, si dhe atë të Liberalëve (ALDE), në mënyrë që të mund të shpallet fitues.

Pitella është zotuar se do t’i japë fund koalicionit aktual mes partive të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë në PE dhe ka premtuar rifokusim në ekonomi kundër politikave të shtrëngimit. Pitella ka mbështetur rekomandimin për pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë, ndërsa po ashtu ka zhvilluar takim me deputetët e arratisur të HDP-së për të cilët është lëshuar urdhërarresti, Tuğba Hezer Öztürk dhe Faysal Sarıyıldız.

Në emër të grupit 50-anëtarësh Të Gjelbërtit-Aleanca e Lirë Evropiane (Verts/ALE) do të garojë britanikja Jean Lambert. Temë e përfolur është bërë fakti që grupi merr pjesë në zgjedhje me një figurë nga Britania e cila ka marrë vendimin për t’u larguar nga BE-ja. Nga ana tjetër, lideri i Liberalëve Guy Verhofstadt duhet ta marrë mbështetjen e kësaj aleance në raundet e ardhshme në mënyrë që të forcohet ndaj figurave të tjera.

Ndërkohë, kandidati i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve Evropianë (ALDE), është lideri i grupit Verhofstadt. Ish-kryeministri 63-vjeçar belg njihet për pikëpamjet e tij federalist. Verhofstadt ndan mendimet e njëjta me djathtistët ekstremë kundër Turqisë, kurse së fundmi ka kërkuar që të mos ekstradohen tetë ushtarët puçistë në Greqi. Pritet që liderin i ALDE-s me 68 anëtarë të mbështesë në raundin e fundit Pitella-n ose Tajani-n, në këmbim të pozitave si zv/kryetar i PE-së ose kryesitë e komiteteve.

Verhofstadt hasi në pengesën e anëtarëve të ALDE-s në kërkesën për të bërë aleancë me lëvizjen euroskeptike Pesë Yje, ndërkohë që ai posedon gjasa vetëm në rast se Pitella tërhiqet.

E përbërë nga demokristianët, EPP ka kandiduar italianin 63-vjeçar Tajani. Megjithëse se Tajani ka dalë në plan të parë si një nga kandidatët favoritë, afërsia e tij me ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi ka ngjallur debate. Ish-gazetari Tajani kishte arritur që në zgjedhjet brendapartiake të shpallet kandidat duke fituar 94 vota nga gjithsej 217 anëtarë. Tajani, i cili ka premtuar “ndryshime”, megjithëse ka gjasa të mëdha të fitojë zgjedhjet, në raundin e fundit atij i duhet mbështetja e partive të djathta ekstreme euroskeptike dhe liberalëve.

Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) kanë nominuar belgen Helga Stevens, emri i së cilës nuk i është në plan të parë. Pritet që një pjesë nga 74 anëtarët e këtij grupi të përbërë nga parti konservatore dhe parti të qendrës së djathtë, ta mbështesin kandidatin e EPP-së Tajani.

Grupi Evropa e Lirisë dhe Demokracisë Direkte (EFDD) po ashtu garon me kandidat italian. Kandidat i grupit prej 44 anëtarëve i cili bashkëkryesohet nga Nigel Farage, ish-kryetari i partisë së djathtë britanike UKIP dhe udhëheqës i fushatës pro-Brexit, do të jetë Piernicola Pedicini. Pedicini në të njëjtën kohë është anëtarë i Lëvizjes Pesë Yje, e cila njëlloj sikurse UKIP, është euroskeptike.

Ndërkaq, grupi i djathtë ekstrem Evropa e Lirive dhe Kombeve (EFN) do të garojë me kandidatin e vet. Kandidat i grupit të kryesuar nga djathtistja ekstreme Marine Le Pen, do të jetë rumuni Laurentiu Rebega. Grupi prej 39 anëtarësh që shfaq qëndrime antiturke, po ashtu shfaq qëndrime edhe kundër vetë BE-së.

Pikëpamjet e kandidatëve

Pak ditë para zgjedhjeve, gazeta Politico ka organizuar një panel në të cilin ka mbledhur në një vend të gjithë kandidatët në përjashtim të Pedicinit. Sipas fjalimeve që kanë mbajtur këtu, të gjithë kandidatët pjesëmarrës janë shprehur se Britania me të vërtetë do të ndahet nga BE-ja.

Gjersa Laurentiu Rebega (EFN), Guy Verhofstadt (ALDE) dhe Helga Stevens (ECR) mbështesin krijimin e ushtrisë së BE-së, Eleonora Forenza (GUE-NGL) dhe Jean Lambert (Verts/ALE) kanë kundërshtuar atë. Ndërkaq, dy kandidatët e fuqishëm të zgjedhjeve, Antonio Tajani (EPP) ile Gianni Pittella (S&D), nuk kanë shfaqur qëndrimet e tyre.

Eleonora Forenza (GUE-NGL), Gianni Pittella (S&D), Laurentiu Rebega (EFN) dhe Guy Verhofstadt (ALDE) e konsiderojnë ende të mundshëm marrëveshjen për Partneritet Transatlantik për Tregti dhe Investim (TTIP) mes BE-së dhe SHBA-ve, ndërkohë që të tjerët janë të mendimit se negociatat kanë dështuar pas zgjedhjes së Donald Trump president i SHBA-ve.

Idenë që gjuha angleze të ngelet një nga gjuhët kryesore të punës në BE edhe pas largimit të Britanisë nga BE-ja e ka kundërshtuar vetëm Laurentiu Rebega (EFN). Rebega po ashtu ka kundërshtuar ndëshkimin e Polonisë, shtet ndaj të cilit ishte hapur hetim nën dyshimin se ka shkelur parimin e sundimit të ligjit.

Ndërkaq, të gjithë kandidatët kanë kërkuar që për PE-në të zgjidhet vetëm një vend, duke pasur parasysh se ajo posedon dy godina, njëra në Bruksel dhe tjetra në Strazburg. Ata po ashtu kanë thënë se nuk kanë kontaktuar me kandidatët ose grupet e tjera në mënyrë që të zgjidhen.



Lajme të ngjashme