Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

SHBA: Armëpushimi në Halep një përpjekje turko-ruse, e presim me kënaqësi

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, deklaroi se vendi i tij nuk ishte në dijeni të bisedimeve Turqi-Rusi për arritjen e armëpushimit në Halep, por e presin me kënaqësi këtë zhvillim...

SHBA: Armëpushimi në Halep një përpjekje turko-ruse, e presim me kënaqësi

Armëpushimi i shumëpritur në Halep, qytet sirian nën bombardime intensive prej disa javësh, është arritur mbrëmjen e të martës falë ndërmjetësimit të Turqisë.

Ministria turke e Punëve të Jashtme njoftoi arritjen e armëpushimit ndërmjet grupeve opozitare në lindje të Halepit dhe forcave të regjimit, të cilat udhëhiqen nga Rusia.

Në komunikatën e MPJ turke nënvizohet gjithashtu se Ankaraja ka luajtur një rol vendimtar jo vetëm në arritjen e armëpushimit, por edhe në procesin e evakuimit, i cili do të ndjekë armëpushimin.

Turqia do të ndjekë nga afër këtë proces maksimalisht të brishtë.

Armëpushimi parashikon fillimisht evakuimin e sigurt të civilëve nën rrethim.

Këta njerëz do të vendosen në zonat e kontrolluara nga Ushtria e Lirë Siriane (FSA) në pjesën perëndimore të Halepit.

Në zonë janë dërguar për këtë qëllim autobusë, që do të transportojnë civilët.

Etapa e dytë e marrëveshjes ndërmjet palëve parashikon edhe evakuimin e sigurt të opozitarëve të armatosur në lindje të qendrës së qytetit.

Po ashtu mësohet se shumica e grupeve opozitare kanë pranuar të largohen nga Halepi.

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, realizoi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, me të cilin bëri një vlerësim të pikës së arritur deri më tani në bisedimet lidhur me çështjen.

Më herët të martën, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, njoftoi se luftimet në pjesën lindore të Halepit ishin ndërprerë pas fillimit të një operacioni evakuimi të forcave opozitare.

“Opozitarët kanë filluar të largohen dhe në kuadër të kësaj veprimet ushtarake janë ndërprerë”, deklaroi Çurkin për gazetarët.

Kurse zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri me dije se Rusia dhe Turqia vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre për zgjidhjen e krizës siriane dhe ndajnë idealin për mbrojtjen e integritetit territorial e politik të Sirisë.

“Që të dyja vendet (Turqia dhe Rusia) kërkojnë unitetin e Sirisë dhe zgjidhjen e krizës në këtë shtet përmes rrugëve politike”, theksoi Peskov gjatë një interviste me kanalin televiziv “Russia Today”.

Ai vuri në pah gjithashtu se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kreu i shtetit rus, Vladimir Putin, janë në dialog të vazhdueshëm dhe shumë të ngushtë për çështjen siriane.

Shumë e rëndësishme për ne – vijoi zëdhënësi i Kremlinit – është që procesi i shkëmbimit të informacioneve për Sirinë në nivel diplomatik dhe ushtarak të ketë një ecuri të mirë.

Nga ana tjetër, në deklaratën e saj të parë lidhur me armëpushimin në Halep, Organizata e Kombeve të Bashkuara shprehu mbështetjen e saj për “përpjekjet e Turqisë dhe Rusisë”.

“E kuptojmë se nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë po vazhdojnë negociatat mes palëve për evakuimin e Halepit. Ne i mbështesim këto përpjekje”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.

Ndërsa Uashingtoni zyrtar deklaroi se armëpushimi në zonën lindore të Halepit ka ardhur si rezultat i përpjekjeve intensive ndërmjet Ankarasë dhe Moskës.

“Kjo ishte një përpjekje e Turqisë me Rusinë, ku nuk ishin të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, saktësoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.

Ai theksoi edhe se SHBA-ja nuk ishte në dijeni të bisedimeve Turqi-Rusi për arritjen e armëpushimit në Halep.

Për ne – shtoi Kirby – i rëndësishëm është rezultati i arritur në këto bisedime dhe jo mënyra apo palët e përfshira në to.

“Në rast se arrihet një marrëveshje, pakësohen ngjarjet e dhunshme dhe popullata civile evakuohet nga Halepi, atëherë këtë gjë do ta presim me kënaqësi” , nënvizoi zëdhënësi i diplomacisë amerikane.

John Kirby tërhoqi vëmendjen se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje politike në Siri dhe se Irani me Rusinë duhet t’i japin fund mbështetjes së tyre për forcat e regjimit të Esadit.



Lajme të ngjashme