Kubë – Ndahet nga jeta ish-lideri revolucionar, Fidel Castro

Ish-presidenti i Kubës, Fidel Castro, i konsideruar nga perëndimorët si një nga diktatorët e fundit në botë, vdiq në moshën 90-vjeçare, njoftoi sot në televizionin shtetëror vëllai i tij dhe Presidenti i vendit, Raul Castro...

618058
Kubë – Ndahet nga jeta ish-lideri revolucionar, Fidel Castro

Ish-presidenti i Kubës, Fidel Castro, i konsideruar nga perëndimorët si një nga diktatorët e fundit në botë, vdiq në moshën 90-vjeçare, njoftoi sot në televizionin shtetëror vëllai i tij dhe Presidenti i vendit, Raul Castro.

“Ish-lideri revolucionar do të varroset sipas amanetit të tij”, shtoi Raul Castro.

Lajmin e vdekjes së Fidel Castros e përcollën si “minuta e fundit” edhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

I lindur më 13 gusht 1923 në Mayari, Castro ndoqi studimet parauniversitare në shkollat katolike të Santiagos dhe Havanës. Ai përfundoi studimet universitare për jurisprudencë pranë Universitetit të Havanës në vitin 1950. Pas diplomimit, Fidel Castro vazhdoi karrierën e tij si avokat për një kohë të shkurtër dhe më pas, në vitin 1952, u bë kandidat për deputet në Dhomën e Përfaqësuesve për Partinë Popullore të Kubës. 

Më 26 korrik 1953, bashkë me rreth 100 shokë të tij, Catro pushtoi bazën ushtarake Moncada në Santiago për të përmbysur Presidentin e atëhershëm, Fulgencio Batista. Pas dështimit të tentativës për grusht shteti, ai u arrestua dhe u dënua me 16 vite burg. Ai bëri vetëm 21 muaj burg në ishullin Juventud dhe u lirua duke përfituar nga amnistia. 

Në vitin 1955, Fidel Castro themeloi një organizatë guerile dhe nisi luftën e njohur si Ofensiva e 26 Korrikut. Në këtë lëvizje morën pjesë edhe emra të tjerë të famshëm, ku ia vlen të përmenden vëllai i tij Raul Castro, sot president i Kubës, si dhe revolucionari legjendar me origjinë argjentinase, Ernesto Che Guevara. 

Pas arratisjes së Batistas në Republikës Dominikane më 31 dhjetor 1958, Fidel Castro zbriti në Havanë dhe më pas u zgjodh kryeministër, post që e mbajti mes viteve 1959-1976. Ndërsa në vitet 1976-2008 ai e ka drejtuar Kubën si president. 

Ndër reformat më të mëdha të Castros ishte ajo agrare. Një nga gurët themelorë të ekonomisë kubane ishte sheqeri, të cilin filloi t'ia shiste Rusisë. Pas këtij zhvillimi, SHBA-ja dhe Kuba u distancuan politikisht dhe Uashingtoni zyrtar vendosi embargo ekonomike kundër Havanës. 

Më 1961, John F. Kenedy dhe CIA nisën një ofensivë kundër regjimit të Fidel Castros në Kubë, njohur gjerësisht si Ofensiva e Gjirit të Derrave, e cila përfundoi pa sukses. Pas kësaj ngjarjeje, Castro deklaroi publikisht se do të ndjekë politikë socialiste. Deklarata e tij njihet ndryshe si Deklarata e Havanës. 

Ndjekës i një politike të pavarur deri në vitin 1968, Fidel Castro e orientoi më pas politikën e vendit të tij në drejtim të Bashkimit Sovjetik. Ai mbështeti revolucione në Amerikën Jugore dhe Qendrore, por edhe në Afrikë.

Më 31 korrik 2006, ish-lideri i Revolucionit Kuban i dorëzoi vëllait të tij Raul Castro, asokohe zv/president, pothuajse të gjitha kompetencat dhe funksionet e tij për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërsa më 19 shkurt 2008, ai dorëzoi edhe funksionin e Presidentit të Këshillit Shtetëror, organi më i lartë drejtues në Kubë, post të cilin e mbante që prej vitit 1976.

Megjithatë Fidel Kastro nuk u lodh kurrë së punuari dhe vazhdoi të shkruajë artikuj e analiza në lidhje me zhvillimet në rendin e ditës.

Dalja publike e fundit e tij ishte ajo me rastin e 90-vjetorit të lindjes, më 13 gusht të këtij viti.

Hera-herës ai realizonte kontakte në rezidencën e tij në Havanë edhe me burrështetasit e nivelit të lartë, që vizitonin vendin e tij.

Fidel Castro udhëhoqi Kubën për 47 vite duke përcjellë kështu 10 presidentë amerikanë, të konsideruar si armiqtë e tij më të mëdhenj.



Lajme të ngjashme