Francë – Policia proteston kushtet e punës për të tretën herë këtë javë

Policët francezë, të pakënaqur nga kushtet e punës, organizuan mbrëmjen e të mërkurës një tjetër protestë pa leje, e treta që nga dita e hënë e këtej...

593682
Francë – Policia proteston kushtet e punës për të tretën herë këtë javë

Policët francezë, të pakënaqur nga kushtet e punës, organizuan mbrëmjen e të mërkurës një tjetër protestë pa leje, e treta që nga dita e hënë e këtej.

Këtë herë policët francezë u tubuan në Sheshin Republika të kryeqytetit Paris, i famshëm për organizimin e demonstratave të mëdha.

Megjithatë numri i policëve të pranishëm në protestë nuk ishte fort i lartë; rreth 200.

Shumica e tyre ishin veshur civilë dhe në përgjithësi kishin vendosur në krah shiritin me mbishkrimin “Policia”, që zakonisht përdoret gjatë operacioneve sekrete.

Të hënën në mbrëmje, policia franceze organizoi protestën e saj të parë kundër kushteve të punës duke bllokuar Sheshin “Champs-Elysees” me gati 400 makina policie.

Ndërsa të martën, vetëm pak orë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Francës nisi hetimet në lidhje me demonstratën e një dite më parë, një grup policësh protestoi këtë herë në Evry, një komunë periferike në jug të Parisit.

Sindikata policore ka filluar të ankohet fuqishëm për punën me orar të zgjatur dhe jashtë orarit, që efektivi po realizon vazhdimisht kohëve të fundit për shkak të rritjes së sulmeve terroriste në shkallë vendi, si dhe për mangësitë e mjeteve dhe pajisjeve fizike për vetëmbrojtjen e policëve.

Vrasja e një çifti policësh si pasojë e një sulmi terrorist ndaj banesës së tyre në muajin qershor të këtij viti, si dhe plagosja javën e kaluar e 2 policëve të tjerë pas një sulmi me koktejl molotovi ndaj makinës, me të cilën patrullonin një zonë të kryeqytetit francez, ka ngjallur reagimin e ashpër të sindikatës policore franceze.



Lajme të ngjashme