Francë – Sulm terrorist në Nisë, të paktën 84 të vdekur

Qyteti Nisë, në jug të Francës, u bë mbrëmjen e 14 korrikut skenë e një masakre monstruoze gjatë festimeve të ditës së kombëtare të Bastijës.

529730
Francë – Sulm terrorist në Nisë, të paktën 84 të vdekur
fransa.jpg
nice
Fransa'da terör saldırısı.jpg
fransa saldırı2.jpg
fransa saldırı1.jpg

Qyteti Nisë, në jug të Francës, u bë mbrëmjen e 14 korrikut skenë e një masakre monstruoze gjatë festimeve të ditës së kombëtare të Bastijës.

Një kamion ka hyrë me shpejtësi në mesin e turmës së njerëzve, të cilët po festonin në Shëtitoren Angleze, duke shkaktuar të paktën 84 të vdekur.

Pjesa dërrmuese e viktimave kanë gjetur vdekjen pasi janë shtypur nga kamioni frigorifer 15 m i gjatë, që çau turmën e njerëzve me një shpejtësi të lartë rreth 90 km/orë dhe me zigzage, ndërkohë që pjesa tjetër janë vrarë nga plumbat e drejtuesit të kamionit.

Në këtë sulm janë plagosur gjithashtu afro 150 persona, 18 prej të cilëve në rrezik serioz për jetën.

Forcat e sigurisë ndërhynë duke asgjësuar shoferin e kamionit, i cili vazhdonte të qëllonte me armë drejt turmës së tmerruar të festuesve.

Autoritetet franceze zgjeruar menjëherë operacionin të shqetësuar edhe nga mundësia e pranisë së agresorëve të tjerë.

Brenda kamionit janë gjetur një sasi e madhe armësh, municionesh dhe lëndë eksplozive, që për fat të mirë nuk kanë shpërthyer.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar panik të madh dhe terror në këtë qytet bregdetar.

Shumë persona në afërsi të vendngjarjes kanë mbetur të bllokuar në kafene dhe restorante.

Policia paralajmëroi menjëherë banorët e qytetit që të mos dalin nga shtëpitë e tyre derisa situata të merret plotësisht nën kontroll.

Hetimet në lidhje me sulmin i morën përsipër “njësitë antiterrorizëm”.

Ndërsa identiteti i agresorit u zbulua nga dokumentet e gjetura në kamion, vetëm disa minuta pas asgjësimit të tij.

Shtypi lokal i Nisës njoftoi se emri i autorit të sulmit është Mohemed Lahouaiej Bouhlel.

Burimet policore bënë me dije se agresori është një 31-vjeçar francez me origjinë tuniziane, banor i Nisës, i ndaluar edhe më parë nga forcat e rendit për armëmbajtje pa leje.

Megjithatë emri Bouhlel nuk figuron në listën e rreth 10 mijë të dyshuarve për ekstremizëm fetar, që përditësohet dhe publikohet hera-herës nga shërbimet franceze të inteligjencës.

Presidenti i Francës, François Hollande, ndërpreu pushimet e tij në Avinjon menjëherë pas sulmit dhe u kthye në Paris, kurse Kryeministri Manuel Valls zhvilloi me anëtarët e kabinetit qeverisës një mbledhje për menaxhimin e krizës.

Me të mbërritur në Pallatin “Elysee”, Presidenti Hollande mbajti një fjalim drejtuar kombit francez, ku theksoi se vendi po ballafaqohet përsëri me frikën dhe se e gjithë Franca është nën kërcënimin e terrorizmit.

Kreu i shtetit nënvizoi se sulmi është kryer më 14 korrik, një ditë simboli i lirisë, nga ato më domethënëset për Francën.

“Agresori është vrarë. Të gjitha autoritetet janë mobilizuar dhe është vënë në zbatim plani i emergjencës”, u shpreh ai.

“Do të veprojmë me ndjeshmëri absolute dhe do të garantojmë sigurinë”, theksoi Hollande duke rikujtuar se një periudhë e re ka filluar në luftën kundër terrorizmit.

Pikërisht mesditën e së enjtes, Presidenti Hollande deklaroi se nuk kishte më arsye që Franca të zgjaste gjendjen e emergjencës, pasi sipas tij, vendi i kishte arritur kënaqshëm objektivat antiterrorizëm.

Mirëpo sulmi në Nisë e shtyu atë të njoftojë zgjatjen edhe me 3 muaj të tjera të gjendjes së jashtëzakonshme, që ishte paralajmëruar se do të përfundonte më 26 korrik.

Sot, për herë të parë pas sulmit terrorist të mbrëmshëm, bëri një dalje publike edhe Kryeministri Manuel Valls.

“Franca do të detyrohet të jetojë me terrorin; do të bashkohemi. U shpallë 3 ditë zie kombëtare. Do ta kapërcejmë edhe këtë. Nuk do të gjunjëzohemi përpara terrorizmit”, deklaroi ai.

“Fryma e 14 korrikut është bashkim rreth vlerave të Francës”, shtoi Kryeministri Valls dhe theksoi se nuk do të dorëzohen kurrë.

Sakaq, dëshmitaret e përshkruan çastin e sulmit si një moment paniku.

“Vraponi, vraponi është një sulm, këto ishin të vetmet fjalë që dëgjoheshin”, tha një grua nga vendngjarja për televizionin francez.

“Ka shumë gjak nëpër rrugë; e vetmja gjë që shohim janë njerëz të dëmtuar rëndë e të shtrirë në tokë”, tha një tjetër dëshmitare.

Imazhet e rënda janë përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Thuajse e gjithë Nisa është blinduar nga forca të shumta sigurie për t’i garantuar qetësi banorëve të zonës. Ndërkohë që spitalet e qytetit jugor kanë hapur dyert për personat e plagosur.

Në çdo 14 korrik, Franca kremton me një paradë simbolike dhe unike festën e saj të pavarësisë, ku këtë vit i ftuar nderi ishte sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.



Lajme të ngjashme