Koment – Dita e Tokës në Palestinë, një luftë për çlirim dhe emancipim

Të mërkurën, më 30 mars 2016, mijëra palestinezë organizuan në Izrael dhe në territoret e pushtuara marshimin përkujtimor të 40-vjetorit të Ditës së Tokës, për të protestuar uzurpimin sistematik të tokave palestineze prej dhjetëra vitesh nga Izraeli.

Koment – Dita e Tokës në Palestinë, një luftë për çlirim dhe emancipim

Plot 40 vite më parë, më datë 30 mars, Izraeli kishte shtypur me forcë një demonstratë të palestinezëve duke shkaktuar vdekjen e 6 personave. Ata protestonin kundër sekuestrimit të 2.000 hektarë hapësire tokësore, pronë e palestinezëve shtetas izraelitë me banim në veri të vendit, për të ndërtuar vendbanime të reja çifute. Rezistenca e ditës së parafundit të marsit të vitit 1976 ishte akti i parë i mosbindjes civile masive kundër politikave diskriminuese dhe shterritorizuese të Izraelit. Dita e Tokës është një ditë simbol, në përkujtim të asaj dite, gjatë të cilës palestinezët tubohen çdo vit për të evokuar 30 marsin e 4 dekadave më parë.

Politika e uzurpimit dhe e sekuestrimit të territoreve palestineze vazhdon pa ndërprerje dhe në mënyrë sistematike që prej shpalljes së pavarësisë së Izraelit e deri më sot. Ajo prek edhe arabët nënshtetas izraelitë, të cilët jetojnë brenda kufijve të shtetit hebre, edhe ata me banim në territoret e pushtuara palestineze. Sa i përket ligjshmërisë së kësaj politike, ajo padyshim dhe katërçipërisht përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

Në territoret e palestinezëve të shpronësuar me dhunë vendosen kolonët çifutë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të lindur dhe të rritur në shtete të tjera. Politika e shpronësimit të palestinezëve është një pjesë e politikës afatgjatë për shterritorizimin e tyre, që në thelb synon shndërrimin e arabëve të këtij rajoni në njerëz pa shtet.

Me rastin e Ditës së Tokës, Organizata Çlirimtare e Palestinës (PLO) publikoi një komunikatë, ku Izraeli dënohej fuqishëm për shkak të politikave të tij diskriminuese, që e bëjnë popullatën çifute pronare tokash duke shpronësuar dhe shterritorizuar atë palestineze. Pavarësisht të priturave të shoqërisë ndërkombëtare nga Izraeli, ky i fundit bën çmos prej vitesh që bisedimet për zgjidhjen me dy shtete mbi kufijtë e 1967-s të mbeten pa rezultat; sepse kjo rrethanë i mundëson shtetit hebre të sekuestrojë gjithnjë e më shumë territore palestineze.

Demonstratat e Ditës së Tokës realizohen jo vetëm në territoret e pushtuara palestineze, por edhe në Izrael. Krahas arabëve palestinezë, në protesta marrin pjesë gjithashtu beduinët, që Tel-Avivi zyrtar përpiqet të dëbojë nga Negevi, si dhe aktivistë izraelitë të paqes. Këtë vit, ajo çka ra në sy ishte pjesëmarrja në demonstrata e disa përfaqësuesve të organizatës së quajtur Rabinët për të Drejtat e Njeriut (Rabbis for Human Rights).

Aktivitetet dhe protestat e sivjetme në përkujtim të Ditës së Tokës erdhën pas një vale të re shpronësimesh në dëm të palestinezëve, e cila përbën një situatë me përmasa të mjerueshme, të paparë ndonjëherë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993 e deri më sot.Territoret e humbura palestineze që nga viti 1947 e deri sot

Gjatë marsit të këtij viti, Izraeli filloi aksionin për të uzurpuar një copë toke me sipërfaqe 1.200 dynymë në zonat veriore dhe qendrore të Bregut Perëndimor. Afro gjysma e kësaj parcele do të shfrytëzohet për zgjerimin e një kolonie ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër për të ndërtuar një kompleks të ri me banesa për çifutët e ardhur nga vende të ndryshme të botës. Sipas rezolutës me numër 242, që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nxori pas Luftës Gjashtëditëshe arabo-izraelite të 1967-s, këto toka kanë statusin e territoreve të pushtuara. Po ashtu, rezoluta në fjalë konsideron si shkelje të ligjit ndërkombëtar çdo tokë të fituar nëpërmjet pushtimit.

Kjo nismë e fundit e Tel-Avivit zyrtar renditet mes shkaqeve më të rëndësishme, që ndezën Intifadën e Jerusalemit apo Intifadën e Tretë, që po përjetohet gjatë këtyre ditëve. Politikat në fjalë përcjellin qartë për shoqërinë palestineze dhe atë izraelite këtë mesazh: “Paqja dhe zgjidhja me dy shtete nuk janë pjesë e agjendës së shtetit hebre!"

Shoqëria ndërkombëtare dënon vazhdimisht Izraelin, por kjo asnjëherë nuk arrin përmasa të mëdha sa të detyrojnë Tel-Avivin që të heqë dorë nga sekuestrimi ilegal i tokave palestineze dhe nga politika shterritorizuese. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të japin ndihma ushtarako-financiare për Izraelin, i cili pranohet ekonomikisht si një vend i zhvilluar. Në këtë pikë, është e pamundur të presësh që vetëm dënimi i politikave izraelite të ketë ndonjë efekt shkëshillues dhe aq më pak frikësues.

Tani për tani, në horizont nuk duket asnjë zgjidhje që do të eliminonte vuajtjet e padrejta të palestinezëve dhe pikërisht kjo i jep më tepër domethënie evokimit të Ditës së Tokës, pasi ajo konsolidon dhe shton sadopak përpjekjet e tyre në luftën për çlirim dhe emancipim.


Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara​​



Lajme të ngjashme