Denuklearizimi i Koresë së Veriut mbetet prioritet i Uashingtonit

SHBA-të mbeten plotësisht të fokusuara në denuklearizimin e Koresë së Veriut, ndërkohë që s'ka asnjë marrëveshje sekrete me Kinën për bisedimet e paqes me Phenianin, deklaroi kryediplomati amerikan për Korenë e Veriut, Sung Kim, për agjencinë "YONHAP".

Denuklearizimi i Koresë së Veriut mbetet prioritet i Uashingtonit

Ambasadori Sung Kim, përfaqësues special i SHBA-ve për politikën e Koresë së Veriut, refuzoi spekulimet, sipas të cilave Unashingtoni do të kërkonte në të njëjtën kohë edhe denuklearizimin e Phenianit edhe bisedimet e paqes me vendin komunist.

"Politika jonë përballë Koresë së Veriut mbetet e pandryshuar. Jemi plotësisht të fokusuar te denuklearizimi. Ky është qëllimi numër një i politikës tonë përballë Phenianit. Kjo nuk mund të ndryshojë", deklaroi Sung në intervistën e marrë nga agjencia koreanojugore e lajmeve në zyrën e tij në Departamentin amerikan të Shtetit.

Pikëpyetjet rreth vënies mbi gjithçka të çështjes së denuklearizimit nga ana e politikës amerikane lindën pasi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, tha javën e kaluar se Uashingtoni nuk përjashtonte mundësinë e një procesi paralel me denuklearizimin, që kishte të bënte edhe me zhvillimin e bisedimeve të paqes.

"Kirby bëri thjesht një koment të përgjithshëm për të vënë në dukje se SHBA-të janë të hapura për një diplomaci të besueshme dhe operative", deklaroi Sung.

"Sigurisht që ne nuk kemi marrë asnjë vendim për bisedime paqeje, paralelisht me çështjen e denuklearizimit", theksoi ai.



Lajme të ngjashme