Siri - Arabia Saudite gati për operacion tokësor kundër DAESH-it

Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, deklaroi sot se vendi i tij do të marrë pjesë në një operacion tokësor të mundshëm në Siri kundër DAESH-it, por jo kundër Esadit.

Siri - Arabia Saudite gati për operacion tokësor kundër DAESH-it

Shefi i diplomacisë saudite sqaroi se misioni i tyre i vetëm për momentin është pastrimi i territoreve të pushtuara nga DAESH-i.

“Arabia Saudite, si një pjesë e koalicionit, ka njoftuar gatishmërinë e saj për të dërguar forca speciale në Siri për të asgjësuar DAESH-in. Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë e vetme", ka theksuar Al-Jubeir, sipas një lajmi të kanalit televiziv informativ, “Al-Arabiya".

Kryediplomati saudit vuri në pah se forcat speciale të vendit të tij do të hyjnë në Siri vetëm në kuadër të koalicionit ndërkombëtar. “Nuk bëhet fjalë që Riadi të organizojë një operacion të njëanshëm", shtoi ai.

Ndërkaq, stërvitja ushtarake më e madhe e Lindjes së Mesme, “Gjëmimi i Veriut", udhëhequr nga Arabia Saudite, po vazhdon në Zonën Ushtarake të Mbretit Halid, pranë qytetit verior të Hafar al-Batinit.

Pjesëmarrëse në këtë stërvitje ushtarake 18-ditore janë Forcat e Armatosura të 19 shteteve (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Bahrejni, Senegali, Sudani, Kuvajti, Maldivet, Maroku, Pakistani, Çadi, Tunizia, Komoret, Xhibuti, Omani, Katari, Egjipti, Mauritania dhe Mauritiusi), si dhe Forca Mbrojtëse e Gadishullit (Peninsula Shield Force), që është krahu ushtarak i Këshillit të Bashkëpunimit për Shtetet Arabe të Gjirit (GCC).

Gjatë stërvitjes do të përdoren pajisje, që reflektojnë armë sasiore dhe cilësore, përfshi këtu avionë luftarakë të modeleve të ndryshme, një gamë të gjerë artilerie, tanke, këmbësori, sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe forca detare.

Përmes kësaj stërvitjeje synohet të përcillet mesazhi se shtetet arabe dhe islame janë një trup i vetëm për mbrojtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, si dhe për t'u bërë ballë të gjitha vështirësive.

Asnjë vend perëndimor nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë stërvitje ushtarake.



Lajme të ngjashme