Rusia paralajmëron Esadin kundër ambicies për kontrollin e gjithë Sirisë

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, paralajmëroi sot Beshar Esadin kundër projekteve të tij për të rifituar gjithë territorin e Sirisë, çka ndikon negativisht, sipas tij, në përpjekjet diplomatike ruse për vendosjen e armëpushimit.

Rusia paralajmëron Esadin kundër ambicies për kontrollin e gjithë Sirisë

“Rusia ka investuar seriozisht në këtë krizë në këndvështrimin politik, diplomatik, tashmë edhe ushtarakisht. Kjo është arsyeja e vërtetë që Beshar Esadi duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë fakt", deklaroi ai në një intervistë për të përditshmen ruse, “Kommersant", duke nënvizuar se kjo deklaratë ishte mendimi i tij personal.

“Deklaratat e presidentit sirian, aleat i hershëm i Moskës, nuk përputhen me përpjekjet diplomatike të ndërmarra nga Rusia, në dhënien fund të armiqësive në Siri dhe vendosjen e armëpushimit", vlerësoi ai në një kritikë të pazakontë ndaj regjimit sirian.

Nëse regjimi sirian, shtoi ai, e konsideron se armëpushimi nuk është i nevojshëm dhe se aspiron të vijojë luftimet deri në arritjen e fitores, ky konflikt do të vazhdojë ende shumë gjatë dhe imagjinoni sa panik përhap ky fakt.

Ambasadori Vitaly Churkin pretendoi gjithashtu se është zbutur disi edhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sa i takon largimit të Esadit nga pushteti.

Kreu i regjimit sirian, Beshar Esad, ishte shprehur pak ditë më parë, në një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve, “AFP", se do të bënte çmos për të rifituar të gjithë territorin e Sirisë dhe se ky do të ishte një proces i gjatë e me kosto të larta.



Lajme të ngjashme