Rusi – Arrestohen 7 persona të lidhur me DAESH-in

Në Ekaterinburg janë arrestuar 7 persona me akuzën se ishin duke planifikuar një sulm terrorist të ndërlidhur me DAESH-in.

Rusya-ural-daiş-operasyon2.jpg
Rusya-ural-daiş-operasyon.jpg

Organizata terroriste DAESH, e cila është prezent me strukturën e saj të celulave në shumë rajone të botës, tashmë është shfaqur edhe në Rusi.

Në qytetin Ekaterinburg janë arrestuar të 7 anëtarët e një celule terroriste që kishte lidhje me DAESH-in.

Njoftohet se gjatë kontrollit të bërë në shtëpitë e të arrestuarve me shtetësi ruse dhe të vendeve të Azisë Qendrore, janë gjetur sasi të mëdha armësh dhe eksplozivi.

Mësohet se personat e arrestuar kishin në plan të kryenin sulme terroriste në Moskë dhe Shën-Petërburg.

Gjatë përleshjeve në Siri, të enjten e kaluar DAESH-i kishte vrarë për herë të parë një ushtar rus.

Një e treta e të vrarëve nga sulmet ajrore ruse në Siri kanë qenë anëtarë të DAESH-it, ndërsa pjesa tjetër janë civilë dhe luftëtarë të lidhur me opozitën.

Nga ana tjetër lideri çeçen, Ramazan Kadirov, i njohur me besnikërinë ndaj Putinit dhe shkeljet e të drejtave të opozitarëve, deklaroi se Putinin e mbështesin edhe në operacionet që rusët janë duke bërë në Siri.

Kadirov pretendoi se shumë kaukazianë të varur nga ai kanë arritur të depërtojnë në pozicionet e luftës së DAESH-it në Siri me qëllim për të punuar si agjentë të Rusisë.

Fjalët Kyçe: DAESH , konflikti në Siri , Rusi , Kadirov

Lajme të ngjashme