Kina reagon ndaj SHBA për aktivitetet në ishujt e diskutueshëm

Një anije luftarake amerikane iu afrua sot të paktën 12 milje detare ishujve artificialë të ndërtuar nga Pekini në Detin e Kinës Jugore, duke ngjallur reagimin e autoriteteve kineze, që denoncuan një kërcënim për sovranitetin e vendit.

Kina reagon ndaj SHBA për aktivitetet në ishujt e diskutueshëm

“Destrojeri ‘USS Lassen’, e pajisur me raketa, lundroi sot në mëngjes me orën lokale në ujërat, që rrethojnë të paktën një prej këtyre ishujve të pretenduar nga Kina në arkipelagun e diskutueshëm të Spratli”, theksoi një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtës.

Këto manovra u konfirmuan më pas nga Pekini, që shprehu kundërshtim të hapur.

“Kjo anije ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe pa lejen e Kinës në ujërat e këtyre ishujve dhe manovrat e saj kanë kërcënuar sovranitetin e Kinës dhe interesat e sigurisë”, deklaroi Lu Kang, zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.

“Shërbimet përkatëse, konform ligjit, kanë kryer një mbikëqyrje të anijes, e kanë ndjekur dhe më pas e kanë paralajmëruar”, theksoi Lu Kang, duke shtuar se qeveria kineze do t’i përgjigjej në mënyrë të vendosur çdo veprimi provokues.

Kina i konsideron si ujëra territorialë zonën prej 12 miljesh detare rreth këtyre ishujve.

Por SHBA-të i hodhën poshtë këto pretendime, duke theksuar se Kina nuk mund të ndërtojë një sovranitet në këto ujëra strategjike, ku Pekini ka pakënaqësi territoriale me fqinjët aziatikë.

“Ne operojmë si zakonisht në Detin e Kinës Jugore dhe do të lundrojmë në ujërat ndërkombëtare kur ne të dëshirojmë”, kishte konfirmuar më herët zyrtari amerikan.

Kina pretendon të drejta në pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore dhe ka kryer aty operacione të mëdha plotësuese, duke përshpejtuar që prej një viti transformimin e territoreve shkëmbore nënujore në porte, pista dhe infrastruktura të ndryshme.

Pretendime territoriale mbi të gjithë apo një pjesë të ishujve të vegjël, të pasur nga aspekti i burimeve të naftës, gazit natyror dhe i peshkimit, në Detin e Kinës Jugore; kanë jo vetëm Kina, por edhe Tajvani, Brunei, Malajzia, Vietnami dhe Filipinet.

Sakaq, Pekini akuzohet se po ndërton ishuj artificialë për të përforcuar pretendimet e tij mbi këtë zonë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme