Gjenerali amerikan për luftën kundër DAESH viziton Egjiptin

I dërguari i presidentit amerikan për koalicionin kundër DAESH, Gjenerali John Allen pritet të takohet gjatë ditës së sotme me autoritetet e larta egjiptiane për të diskutuar përpjekjet dhe hapat e mëtejshëm të koalicionit për eliminimin e DAESH.

268368
Gjenerali amerikan për luftën kundër DAESH viziton Egjiptin

I dërguari i presidentit amerikan për koalicionin kundër DAESH mbërriti në kryeqytetin egjiptian, Kajro ditën e diel në vizitën e tij të dytë në Egjipt, kanë bërë të ditur burimet diplomatike.

Mësohet se gjenerali John Allen pritet të takohet gjatë ditës së sotme me ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shukry, sipas një deklarate lëshuar nga ky institucion. Ndërkohë autoritetet egjiptiane nuk kanë zbuluar detaje të mëtejshme në lidhje me agjendën e vizitës, e cila pritet të zgjasë dy ditë.

Në një deklaratë bërë të premten, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Marie Harf, ka konfirmuar se Allen do të takohet edhe me udhëheqjen e Lidhjes Arabe për të diskutuar përpjekjet dhe hapat e mëtejshëm të koalicionit për eliminimin e DAESH.

Allen u emërua i dërguar i posaçëm i SHBA-së për koalicionin global për të luftuar kundër DAESH nga Presidenti Barack Obama në shtator të vitit të kaluar. Ai e vizitoi Egjiptin edhe në tetor të vitit 2014, ku u takua me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shukry dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil al-Arabi, për të diskutuar rreth bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DAESH.

Ndërkohë burime diplomatike kanë bërë të ditur se edhe Nënsekretari i Shtetit të SHBA-së për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Rose Gottemoeller ka mbërritur në Kajro të dielën në mëngjes, ku do të zhvillojë një vizitë dyditore.

DAESH arriti të pushtojë territore të mëdha në Siri dhe Irak vitin e kaluar. Pas kësaj SHBA dhe aleatët e saj ndërmorën një fushatë me sulme ajrore kundër kësaj organizate.

Që nga gushti i vitit 2014, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë udhëhequr një koalicion me mbi 60 vende kundër DAESH, duke kryer sulme ajrore ndaj objektivave që i përkasin grupit militant në Irak dhe Siri.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme