Itali - Operacion blic kundër neofashistëve, 14 të arrestuar

Karabinieria italiane njoftoi sot se ka arrestuar 14 neofashistë të dyshuar se kërkonin të shënjestronin politikanë dhe gjyqtarë, ndërkohë që media flet për një plan mbi vrasjen e disa dhjetëra personave.

Itali - Operacion blic kundër neofashistëve, 14 të arrestuar

"Dy vite hetime dhe përgjime telefonike treguan se grupi, i dalë nga organizata e ndaluar e ekstremit të djathtë ‘Ordine Nuovo’ (Rendi i Ri), kishte filluar të mblidhte armë dhe parashikonte të organizonte një sulm për Krishtlindje", shpjegoi karabinieria gjatë një konference për shtyp.

Sipas shumë mediave italiane, që citojnë përgjegjësin e hetimit, Mario Parente, një polic ishte infiltruar në këtë grup, që synonte të sulmonte hekurudhat "Equitalia", agjencia e ngarkuar me mbledhjen e taksave.

Siç shkruan e përditshmja prestigjioze italiane, "La Repubblica", "neofashistët synonin të vrisnin përgjegjës politikë, 10 ose 11 njëherësh; të hidhnin në erë selinë e Equitalias në një moment, kur të gjithë punonjësit të ishin të pranishëm; si dhe të sulmonin pika të policisë".

Për të grumbulluar armët, që iu nevojiteshin për të realizuar planin e tyre, ata kishin parashikuar të vidhnin shtëpinë e një koleksionisti.

"Ordine Nuovo", themeluar në vitin 1956 me shpresën për të risjellë fashizmin në vend, është akuzuar se ka qenë mbrapa shumë atentateve në fillim të viteve 1970 dhe është shpërbërë nga qeveria italiane në vitin 1973.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme