Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Hungaria e vendosur për të ndërtuar gazsjellësin "South Stream"

Parlamenti hungarez miratoi me 131 vota pro dhe 15 kundër amendamentin për të lejuar ndërtimin.

Hungaria e vendosur për të ndërtuar gazsjellësin "South Stream"

Kryeministri konservator hungarez, Viktor Orban rikonfirmoi vendosmërinë e tij për t’i hapur rrugën ndërtimit të gazsjellësit ”South Stream” duke sfiduar Bashkimin Evropian, me miratimin nga parlamenti të një amendamenti që mundëson ndërtimin e këtij gazsjellësi në territorin hungarez.

”Edhe pse në Ukrainë ka destabilitet politik, është e nevojshme që Hungaria të furnizohet me gaz. Dhe për këtë ne kemi nevojë për një tjetër gazsjellës”, deklaroi Orban për median.

I marrë përsipër për t’u ndërtuar nga gjiganti rus i gazit ”Gazprom”, projekti ”South Stream” me vlerë 16 miliardë euro, ka për qëllim furnizimin e Evropës me gazin rus duke anashkaluar Ukrainën.

Projekti u bllokua nga Bashkimi Evropian si pjesë e sanksioneve kundër Moskës për shkak të konfliktit të saj me Kievin.

“Gjermania ndërtoi ‘North Stream’-in duke mënjanuar Ukrainën si burim të mundshëm rreziku”, theksoi Orban.

“Ne nuk kërkojmë më shumë nga sa kërkojnë gjermanët”, shtoi ai.

Parlamenti hungarez miratoi me 131 vota pro dhe 15 kundër amendamentin për të lejuar ndërtimin e një gazsjellësi edhe pse kompanisë që do ta marrë përsipër i mungon licenca e përkohshme.

Nëse kjo nuk i referohet në mënyrë eksplicite ”South Stream”-it, teksti që shoqëron amendamentin e parlamentit hungarez interpretohet si dritë jeshile për ndërtimin e një gazsjellësi të kundërshtuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky është i vetmi gazsjellës që Hungaria kërkon të ndërtojë. Amendamenti është një truk për të lejuar ndërtimin e projektit rus dhe për të anashkaluar rregullat evropiane”, deklaroi Judit Barta, specialiste energjie në ”GKI Energy Research Institute”.

”Brukseli i kërkoi Budapestit që të qartësojë pozicionin e tij në këtë çështje”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen.

Gazsjellësi ruso-italian ”South Stream”, që ka filluar zyrtarisht në dhjetor 2012, është 3 600 kilometra i gjatë, nga Rusia në Bullgari, dhe më pas kalon në Evropën Perëndimore nëpërmjet Serbisë, Hungarisë dhe Sllovenisë.

Kapaciteti i tij do të jetë 63 miliardë metra kub në vit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme