SHBA-të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë

Gjendja në Ukrainë, e cila vazhdon të jetë tejet e tensionuar, ka detyruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë.

SHBA-të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë

Sanksionet e reja të Uashingtonit do të prekin disa nga bankat e mëdha, kompanitë e energjisë, si edhe ato të mbrojtjes në Rusi. Në listën e të prekurve nga sanksionet janë “Gazprombank”, “Rosneft” dhe disa zyrtarë të lartë rusë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Moskës. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov, i quajti sanksionet e reja si “skandaloze” dhe krejtësisht të papranueshme, ndërsa premtoi se Kremlini do të përgjigjej me të njëjtën monedhë.

Sipas mediave ndërkombëtare, mundësinë e zgjerimit të sanksioneve ndaj Rusisë është duke shqyrtuar edhe BE-ja, edhe pse jo në nivelin e SHBA-ve.

Shtëpia e Bardhë i ka bërë shpesh thirrje Rusisë që të përdorë ndikimin e saj te separatistët prorusë për të arritur një marrëveshje paqeje, por deri tani kjo nuk është arritur, madje gjatë ditës së djeshme Ukraina ngriti akuza të forta ndaj Moskës për përfshirje direkte në sulmet e ndodhura gjatë ditëve të fundit ndaj ushtrisë ukrainase.

Gjatë ditës së martë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan një raport, ku tregohej qartazi se qëllimi i Uashingtonit gjatë krizës në Ukrainë ka qenë për të mbështetur një Ukrainë demokratike, që do të jetë e qëndrueshme, e unifikuar, e sigurt politikisht dhe ekonomikisht, si edhe në gjendje të përcaktojë vetë të ardhmen e saj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme