Gjermani - Gauk në aktivitetet përkujtimore të sulmeve të NSU-së

Në Këln të Gjermanisë u evokuan viktimat e sulmit me bomba, që organizata terroriste Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU) ndërmori 10 vjet më parë në këtë qytet.

Gjermani - Gauk në aktivitetet përkujtimore të sulmeve të NSU-së

Me rastin e 10-vjetorit të këtij akti të përgjakshëm, që shkaktoi plagosjen e 22 personave, në Rrugën “Keup”, aty ku para dhjetë vitesh shpërtheu një biçikletë-bombë me gozhdë, u organizua një festival unik nën sloganin “Dorë për dore kundër racizmit dhe diskriminimit”.

Pikërisht në këtë përvjetor të sulmit me bomba të 9 qershorit 2004, Këlni po bëhet skenë e manifestimeve kundër racizmit.

Këtij aktiviteti, që u organizua në shenjë dënimi të sulmit në fjalë, iu dha emri “Së bashku”.

Krahas gjermanëve dhe turqve, në aktivitetin e zhvilluar në Rrugën “Keup”, që ndryshe njihet edhe si “Stambolli i vogël”, morën pjesë gjithashtu shumë qytetarë të vendeve të tjera.

Por mes pjesëmarrësve të festivalit spikati Presidenti i Gjermanisë, Joahim Gauk, i cili vizitoi turqit, bizneset e të cilëve pësuan dëme për shkak të sulmit të 10 viteve më parë, dhe bisedoi me ta për disa minuta.

“Ju jam mirënjohës të gjithë juve, që nuk u larguat nga vendi pas atij sulmi”, deklaroi lideri gjerman pasi u vuri vesh problemeve të tregtarëve.

Në emër të të gjithë gjermanëve, Presidenti Gauk u foli turqve të zhgënjyer dhe zemëruar, ndërsa duke iu drejtuar ekstremistëve të djathtë tha: "Urrejtja juaj është motivimi ynë!"

Sakaq, në zonën e aktivitetet ranë në sy masa të gjera sigurie.

Po ashtu, Komisioni i Integrimit i Kuvendit të Renanisë Veriore-Vestfalisë në vend të Dyseldorfit e realizoi mbledhjen e radhës në Këln.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme