Mali i Zi - Abazoviq propozon formimin e Qeverisë së pakicës

Lëvizja Qytetare “Ura” dhe Lidhja e Qytetarëve “CIVIS”, që garuan në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar në Mal të Zi, në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, propozuan formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës.

1765111
Mali i Zi - Abazoviq propozon formimin e Qeverisë së pakicës
Dritan Abazoviq.jpg
Karadağ_Omicron.jpg
Karadağ_koronavirüs genel.jpeg
Karadağ_Kamu Sağlık Enstitüsü.jpg

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq propozoi formimin e Qeverisë së pakicës

Në qendër të vëmendjes së opinionit në Mal të Zi, por edhe më gjerë, është modeli i propozuar për formimin e qeverisë së re. Sipas këtij modeli, në këtë qeveri nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS) të Presidentit Millo Gjukanoviq dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (FD), parti kjo pro-serbe.

Qeveria aktuale e Kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave dhe pengesave nga strukturat e shumicës qeveritare, në radhë të parë nga Fronti Demokratik, i cili në disa raste ka kërkuar që të zgjidhet një qeveri e re.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq tha në konferencën për media se të gjithë deputetët e Parlamentit malazez duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës. Ai porositi që për Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Frontin Demokratik nuk ka vend në këtë qeveri, por “do të ishte fenomenale nëse ata do të na përkrahnin”.

“Ne ofrojmë një zgjidhje të mundshme, por nuk e imponojmë. Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian (BE). Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviq. Ai shtoi se në rast se sigurohet mbështetja e shumicës në Kuvend, do të iniciohet mocioni i votëbesimit të Qeverisë aktuale. Ideja për formimin e një Qeverie të pakicës u përmend për herë të parë në vjeshtën e kaluar pasi që dështuan negociatat për riorganizimin e Qeverisë dhe një platformë e ofruar nga Fronti Demokratik proserb, që parashikonte zgjedhjen e një kryeministri të ri. Në nëntor të vitit 2021, lideri i partisë opozitare “Alternativa Shqiptare”, Nik Gjeloshaj kishte thënë se në Mal të Zi do të duhej të formohej një qeveri e pakicës. Sipas propozimit të Gjeloshajt, në qeveri do të hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare Ura, e cila është në pushtet, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte lideri i tyre, Dritan Abazoviq. Ky propozim nga Kryeministri Krivokapiq ishte vlerësuar si veprim “i rrezikshëm”. Ndërkaq, në dhjetor partitë opozitare hoqën dorë nga ngritja e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit për arsye se Fronti Demokratik kishte paralajmëruar se do të dorëzonte iniciativën për shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Qeveria e Krivokapiqit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, Lëvizjes Ura dhe Demokratëve, të cilët në gusht 2020 fituan zgjedhjet, me çka Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit, Millo Gjukanoviqit pas tre dekadash kaloi në opozitë.

Subjektet politike shqiptare thonë se Qeveria e pakicës është ‘zgjidhja optimale’ pasi qeveria aktuale ka përkrahjen e vetëm dhjetë deputeteve nga 81 sa numëron parlamenti. Formimi i qeverisë së pakicës për Partine Boshnjake është zgjidhja më optimale për të dalë nga kriza politike. Po ashtu edhe Partia Socialdemokrate përkrah çdo nisëm për votëbesimin e Qeverisë aktuale. Për kryesinë e Partisë Socialiste Popullore, nënshkruese e Memorandumit të Bashkëpunimit, koncepti i qeverisë së pakicës është njëra nga mundësitë e zgjidhjes për daljen nga kriza. Demokratët, partner të koalicionit qeverisës duke komentuar propozimin e koalicionit “E zeza mbi të bardhë” thonë se nuk duhet luajtur me verdiktin e qytetarëve të Malit të Zi  dhe mos ‘ta fusin vendin në destabilizim’.

Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake mbështesim propozimin për qeverinë pakicë 

Duke pranuar faktin se Mali i Zi ndodhet në një krizë të rëndë politike, sociale, ekonomike dhe shëndetësore dhe se vetë rreth dhjetë deputet mbështetë qeverinë aktuale, ne, përfaqësuesit politikë të popujve pakicë në Parlamentin malazez, mbështesim propozimin e shpallur të hënën nga koalicioni “E Zeza në të Bardhë” për formimin e qeverisë pakicë, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Listës Shqiptare, Koalicionit Shqiptar dhe Partisë Boshnjake. Ata janë të bindur, siç thonë, se ky është një model real dhe optimal për dalje nga situata aktuale politike. “Modeli i qeverisjes së pakicave, në këto rrethana politike, mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Dhe pikërisht kjo është kërkesa e qytetarëve tanë dhe nevojat e shtetit, për të dalë nga spiralja e ndarjes, varfërisë dhe mungesës së shpresës. Prandaj, ne besojmë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Kuvendin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat kemi luftuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga Nik Gjeloshaj (Lista Shqiptare), Fatmir Gjeka (Koalicioni Shqiptar) dhe Ervini Ibrahimoviq (Partia Boshnjake). Ata theksojnë se rruga evropiane dhe euroatlantike e Malit të Zi nuk ka alternativë dhe se mbështetja e partnerëve të tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme. “Sigurisht që na gëzojnë mesazhet që partnerët tanë ndërkombëtarë po deklarojnë me këtë rast, sepse do të kemi nevojë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në periudhën e ardhshme, në mënyrë që reformat të realizohen sa më lehtë dhe të përparojmë drejt anëtarësimit në BE. “Rruga jonë evropiane dhe euroatlantike nuk ka alternativë dhe mbështetja e partnerëve tanë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, kanë shtuar ata.

Krivokapiq: propozimi i Qeverisë pakicë, është mashtrim

Kryeministri, Zdravko Krivokapiq, ka deklaruar se Qeveria pakicë e propozuar nga një pjesë e subjekteve parlamentare është tradhti. Ai ka theksuar se maskat duhen të bien deri në fund dhe ka shtuar se kjo do të ndodhë deri me 1 mars dhe Mali i Zi do të shohë se kush është kush dhe çfarë është. Zgjidhja është, siç tha ai, të zgjerohet puna e Qeverisë dhe të zmadhohet numri i ministrave.

Ai, është angazhuar për zgjedhje të jashtëzakonshme në muajin maj, së bashku me zgjedhjet në Podgoricë, si zgjidhjen më të ndershme. Mali i Zi, ndodhet në situatë të rëndë vetëm për shkak të liderëve politikë, të cilët nuk duan të mbajnë përgjegjësi e nuk lejojnë që individ ekspertë të marrin përgjegjësinë, ka pohuar Krivokapiq. Ai po ashtu theksoi se e kanë ftuar anëtarë të shumtë të PSP-së duke pohuar se së paku dy deputetë të kësaj partie janë kundër, siç ka thënë, kësaj tradhtie. Krivokapiq po ashtu ka pohuar se as që mendon për formimin e partisë dhe se kjo Qeveri në qendër të interesimit të vetë ka vendosur qytetarët.

Gjashtë pacientë të vdekur dhe 1. 814 raste të reja pozitive në Mal të Zi 

Në Mal të Zi, në 24 orët e fundit, nga pasojat e koronavirusit, kanë vdekur gjashtë pacientë kurse 1.814 të tjerë kanë rezultuar pozitivë nga pasojat e këtij infeksioni, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Ndërkohë, siç është kumtuar, laboratorët e këtij instituti, gjatë ditës së djeshme kanë analizuar 4.458 mostra të dyshuara për koronavirus dhe janë diagnostikuar 1.814 raste të reja pozitive, ose 39,77% nga rastet e testuara. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga pasojat e Covid-19 në Mal të Zi ka arritur në 2.485, kurse deri më tani, janë regjistruar 206. 676 raste pozitive nga koronavirusi prej fillimit të pandemisë në Mal të Zi. Ndërkaq, aktualisht në Mal të Zi, janë të regjistruara 12.229 raste pozitive me Covid-19.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme