Të hënën Presidenti Erdogan gjatë një vizite në Tiranë hap dhe sesionin e ri parlamentar 2022

Seanca e parë parlamentare pritet të mbahet të hënën e 17 janarit 2022, ndërkohë që do të mbajë dhe një fjalë përshëndetëse Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan.

1761810
Të hënën Presidenti Erdogan gjatë një vizite në Tiranë hap dhe sesionin e ri parlamentar 2022
Recep Tayyip Erdoğan_büyük resim.jpg
Erdoğan_Rama_Arnavutluk.jpg
Arnavutluk başkenti_Tiran_merkez.jpg
ABD OFAC ofisi.jpg
Arnavutluk_Afgan mülteciler.jpg
Arnavutluk_DP gösteri_1.jpg
Arnavutluk_DP gösteri_3.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (02/2022)

-Të hënën Presidenti Erdoan gjatë një vizitë në Tiranë, hap dhe sesionin e ri parlamentar 2022

Seanca e parë parlamentare pritet të mbahet të hënën e 17 janarit 2022, ndërkohë që do të mbajë dhe një fjalë përshëndetëse Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Sipas vendimit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve, të mbajtur nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, seanca do të nisë në orën 17:00.

Erdoani do të pritet me ceremoni shtetërore nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa takimet do t’i vijojë me Presidentin Ilir Meta dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës së Presidentit Erdogan lidhet me inaugurimin e bllokut të mbi 500 apartamenteve në qytetin e Laçit të financuar falas nga qeveria turke pas shkatërrimit të tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. 

Në agjendën e tij janë parashikuar edhe vizita të tjera në Shqipëri.

***

-Shqipëria mbështet dialogun me Rusinë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka theksoi se Shqipëria e mbështet dialogun me Rusinë.

Xhaçka mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të 7 janarit, të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, mbi pozicionimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe çështjet më të gjera të sigurisë evropiane.

“Mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për mbledhjen e jashtëzakonshme të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, mbi pozicionimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe çështjet më të gjera të sigurisë evropiane. Një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi këtë kërcënim serioz për sigurinë dhe mënyrat për ta trajtuar atë”, nënvizoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka bën të ditur se “theksova mbështetjen e Shqipërisë  për dialogun me Rusinë duke qëndruar të patundur në parimet dhe angazhimet tona”.

***

-Sanksionet e OFAC, Shqipëria përkrah fuqimisht integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës

Olta Xhaçka, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka deklaruar se Shqipëria mbështet sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).

Ne mbështesim sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC). Shqipëria përkrah fuqimisht integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për të minuar atë dhe që kërcënon paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Në deklaratën e ministres Xhaçka theksohet se e ardhmja e rajonit qëndron larg politikës së ndarjes dhe konfliktit.

“E ardhmja e rajonit tonë qëndron në bashkëpunim dhe integrim, larg politikës së ndarjes dhe konfliktit”, deklaron ajo.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja vendosi sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnjës dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik për aktivitete destabilizuese dhe korruptive në vend.

***

-OSBE: Nxisim aktorët politik të PD-së të përmbahen nga çdo akt dhune, vlerësojmë policinë për ruajtjen e rendit publik 

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar në lidhje me protestën e 8 janarit e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për të hyrë me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike në selinë e PD-së, pas shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së nga forumet më larta të kësaj force politike .

Në reagimin e OSBE-së, theksohet  se “protestat paqësore janë në themel të demokracisë”.

Prezenca e OSBE-së po ndjek zhvillimet pranë selisë së Partisë Demokratike. Ne nxitim të gjithë aktorët e përfshirë të përmbahen nga çdo akt dhune dhe vlerësojmë policinë për ruajtjen e rendit publik. Protestat paqësore janë në themel të demokracisë”, thuhet në deklaratë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur të shtunën në selinë e PD-së dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

Në një reagim, delegacioni i BE-së thekson se nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë”.

Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, theksohet në  reagimin e delegacionit të BE-së.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Zingraf mbështet deklaratën e Delegacionit të BE-së lidhur me aktet e dhunës në selinë e PD-së.

“Në politikën demokratike nuk ka vend për dhunë”, thekson Zingraf.

***

-Përkujtohet Hafiz Ali Korça, u burgos dhe u internua nga diktatura komuniste

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë përkujtoi pak ditë më parë me anë të publikimit të disa dokumenteve origjinale, arsimtarin patriot Hafiz Ali Korça.

Më 7 janar 1957 ndërroi jetë Hafiz Ali Korça.

Ali Korça, biri i Iljas efendiut, lindi në vitin 1866 në qytetin e Korçës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku mbaroi shkollën ibtidaije, rushdije dhe idadije. Studimet e larta i kreu në Stamboll. Mbasi kreu studimet ai u kthye në vendlindje dhe filloi të jepte mësim në shkollën shqipe të Korçës, ku jepte gjuhë osmane, matematikë, shkrim dhe drejtshkrim të gjuhës turke. Zotëronte shumë mirë gjuhët arabisht, persisht, osmanisht dhe frëngjisht.

Në vitin 1890 emërohet mësues në shkollën rushdije të Korçës, dhe më mbas kaloi në shkollën idadije, ku dha lëndët gjeografi dhe matematikë

Në vitin 1903 u emërua mësues gjeografie dhe historie në shkollën idadije të Spartës në Anadoll.

Ka marrë pjesë në kongresin e Manastirit (1908) dhe në kongresin e Dibrës (1909). Ka mbajtur fjalimin në gjuhën frënge, me ardhjen e Princ Vidit (1914). Në vitin 1916 ishte drejtori zyrës së arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme. Në periudhën 1918-1924 ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet dhe vendosjen e diktaturës barbare, Hafiz Ali Korça, për shkak të bindjeve dhe qëndrimit të tij, u burgos dhe u internua. Vitet e fundit të jetës i kaloi në vetmi, në Kavajë, ku ndërroi jetë më 7 janar 1957. Nga punimet e tij mund të përmendim, përkthimin e Kuranit, Mevludin, “303 fjalë të Imam Aliut”, “Jusufi me Zelihanë”, “Rubaijati”, “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”, “Historia e shenjtë dhe katër kalifët”, etj.

Nga dokumentet që ruhen rreth Hafiz Ali Korçës, DPA publikoi një jetëshkrim të tij dhe emërimin e tij në shkollën idadije.

***

-Artistët afganë, murale falënderuese në Tiranë për mikpritjen shqiptare

Artistët afganë kanë falënderuar Shqipërinë për mikpritjen me anë të muraleje të pikturuar në një pallat në qendër të kryeqytetit. “Faleminderit Shqipëri, nuk do të harrojmë!”, shkruhet në muralen ku paraqitet një burrë afgan që po punon, ndërsa karroca e tij e punës mban hartën e Shqipërisë.

Artistët janë pjesëtarë të ‘Artlords’, një organizatë afgane me aktivistë e artistë vullnetarë, të cilët përmes pikturave murale përcjellin mesazhe shprese dhe paqeje.

Bashkëthemeluesi i “Artlords”, Omaid Sharifi thekson se “kjo është një nga mënyrat me të cilat ne duam të ngremë zërin për afganët që janë marrë peng në shtëpitë e tyre në Afganistan”.

Sipas tij, shumica e veprave të këtij grupi në Afganistan u shkatërruan nga talibanët.

Artistët afganë u vizituan nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga ekstremistët talibanë.

Shqipëria ka strehuar mbi 2,400 afganë që lanë shtëpitë e tyre pas ardhjes në pushtet të talibanëve, një pjesë e të cilëve janë larguar për në shtete të tjera.

Veprimi i artistëve afganë u pasqyrua edhe në mediat e tjera ndërkombëtare.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme