Stoltenberg: Në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve me retorikë më agresive

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se së fundmi, në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve, përfshirë Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, "me retorikë më agresive" dhe "aktorë të huajë që po punojnë ta minojnë procesin".

1741805
Stoltenberg: Në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve me retorikë më agresive

Ministrat e jashtëm të NATO-s u mblodhën të martën në kryeqytetin e Letonisë, Riga për një konferencë dyditore për të diskutuar çështjet më urgjente të sigurisë për aleancën.

Në ditën e dytë të takimit, kryediplomatët diskutuan leksionet e nxjerra nga prania 20-vjeçare e NATO-s në Afganistan, tërheqja nga ky vend dhe marrja e shpejtë e kontrollit nga talibanët.

“Për të ardhmen, ne duhet të shqyrtojmë se si të forcojmë aftësinë e NATO-s për të kryer përpjekje të evakuimit në shkallë të gjerë me njoftim të shkurtër dhe të përforcojmë mjetet e menaxhimit të krizave të NATO-s”, tha sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë me të cilën përfundoi ngjarja dyditore.

Në lidhje me tërheqjen nga Afganistani, Stoltenberg pranoi se “Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Norvegjia ofruan sigurinë dhe operuan aeroportin (në Kabul) në rrethana jashtëzakonisht sfiduese” për të mbështetur evakuimet nga vendi.

Ai gjithashtu vuri në dukje se NATO e arriti qëllimin e saj për të parandaluar që Afganistani të bëhet një strehë e sigurt për terrorizmin ndërkombëtar dhe dëshmoi se mund të kryejë operacione masive dhe komplekse të menaxhimit të krizave.

Në të njëjtën ditë, ministrat e jashtëm diskutuan edhe situatën e sigurisë në Ukrainë dhe Gjeorgji, si dhe tensionet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg tha se së fundmi, në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve, përfshirë Kosovën dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, "me retorikë më agresive" dhe "aktorë të huajë që po punojnë ta minojnë progresin".

Ai e quajti “agresive dhe shqetësuese” retorikën separatiste të Milorad Dodikut, anëtarit serb të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke theksuar që kjo gjuhë minon Marrëveshjen e Dejtonit.

Stoltenberg riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke thënë po ashtu se do të bëjnë çfarëdo që duhet për të parandaluar çdo iniciativë që dëmton përbërjen multietnike të vendit. (Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme