Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë zbatimin e ”Open Balkan”

Në Nish u zhvillua takimi i ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të nismës ”Open Balkan”, që e hapi ministri serb i Financave, Sinisha Mali.

1735526
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë zbatimin e ”Open Balkan”
Iskodra Camii.jpg
Pakdemirli Arnavutluk.jpg
ARN Kitap Fuari.jpg
Medya Akademi ARN.jpg

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë zbatimin e ”Open Balkan”

Në Nish u zhvillua takimi i ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të nismës ”Open Balkan”, që e hapi ministri serb i Financave, Sinisha Mali, i cili deklaroi se qëllimi i tri vendeve është që duhet të punojnë si një i vetëm.

Mali u uroi mirëseardhjen ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët më pas diskuan mënyrat e realizimit të kësaj nisme.

Ai theksoi se qëllimi i përfaqësuesve të qeverive të tre vendeve është përpunimi i një plani se si të përmirësohet shkëmbimi i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve dhe si të mënjanohet  gjithçka që të tre ekonomitë e shikojnë si pengesë për zhvillim dhe përparim.

Takimi i përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë u hap me një takim ministror, ndërsa përfaqësuesit qeveritarë dhe anëtarët e grupeve sektoriale në dy ditët e ardhshme në Nish biseduan për lejet e punës dhe lehtësimet në tregti, që do të mundësojë shkëmbimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në këto tre vende.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Dimkovski theksoi se realizimi i nismës ”Open Balkan” nuk do të jetë i lehtë, por që tre qeveritë së bashku do të luftojnë që ajo të arrihet.

Ai shfaqi shpresë se nisma do të sjellë të ardhme më të mirë për ekonomitë e tre vendeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, shfaqi shpresën se takimi të jetë i suksesshëm dhe se do të japë ndihmën e saj që kjo nismë të jetësohet sa më shpejt.

-Krifca me homologun turk Pakdemirli: Veprime konkrete për zhvillimin e bujqësisë shqiptare

Gjatë vizitës në Turqi, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Frida Krifca është takuar edhe me homologun turk Bekir Pakdemirli.

“E falënderova ministrin për mbështetjen që i është dhënë Shqipërisë këto kohë”, u shpreh Krifca.

Ministrja Krifca, i shprehu homologut turk vlerësimin për pajisjet e dhuruara në luftën kundër përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave, për dijen e praktikat moderne të ofruara për kullimin e vaditjen, si dhe për formimin e specialistëve tanë në fushën e veterinarisë dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, sigurisë ushqimore, administrimit të kullotave dhe menaxhimin e burimeve ujore.

Ministri Pakdemirli, ofroi angazhimin e tij të plotë dhe më siguroi se do të jetë një partner i ngushtë në strategjinë tonë, për të përmirësuar e forcuar zinxhirin e vlerës së produkteve tona”, vijoi ministrja Krifca.

“Kemi nisur nga puna për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, në të mirë të modernizimit dhe zhvillimit të bujqësisë shqiptare”, u shpreh Krifca.

-Italia ofron mbështetje të plotë integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi deklaroi të mërkurën se Italia është pranë Shqipërisë në çdo centimetër të politikës së saj të jashtme sa i përket hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Palazzo Chigi në Romë me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare, kryeministri italian Draghi tha se “Italia do t’i japë një mbështetje të plotë Shqipërisë. Procesi i hyrjes së Shqipërisë në BE nuk do të ndodhte vetëm, por duke konsideruar edhe hyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit”.

Duke falënderuar kryeministrin Rama për sinjalin e jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe afërsisë që ai dhe Shqipëria i ka dhënë Italisë gjatë periudhës më të errët atë të pandemisë, Draghi tha se “marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë nuk ka nevojë për shumë fjalë, është shumë e lashtë dhe e fortë, një marrëdhënie e suksesshme që nuk ka nevojë shumë për fjalë, por vetëm për përforcime”.

Sipas tij, bashkësia italiane dhe ajo shqiptare në Itali është shumë e gjerë dhe shumë mirë e integruar.

-Meditim dhe reflektim në xhaminë e Plumbit për 16 Nëntorin 1990

Paradrekën e të martës, në xhaminë e Plumbit, Myftinia Shkodër zhvilloi një aktivitet përkujtimore për rihapjen e kësaj xhamie shekullore dhe rilejimit të besimit në Shqipëri më 16 nëntorit 1990.

Besimtarë të shumtë, imam dhe drejtues të institucioneve islame kishin ardhur për të falur fillimisht namazin e drekës dhe më pas në oborrin e xhamisë u mbajt një tubim përkujtimor me përshëndetje, mesazhe dhe kujtime mallëngjyese për këtë ditë të madhe historike, ku jehona e saj vazhdon të përkujtohet akoma edhe sot, pas 31 viteve.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili u përqendrua tek mesazhet e kësaj ngjarjeje dhe rëndësinë që ka përkujtimi i datave të shënuara të historisë shqiptare, e cilësoi ditën e 16 nëntorit 1990, si Dita e Rimëkëmbjes Islame.

Ai kërkoi që besimtarët të luten për shpirtin e Hafiz Sabri Koçit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Myftiu Imam Muhamed Sytari tha se një nga mirësitë e kësaj ditë kombëtare dhe historike është edhe mesazhi i ruajtjes së familjes përballë sfidave dhe përpjekjeve shterpë për të prishur tabanin shekullor shqiptar islam.

Ndërsa, në lidhje me premtimin burrëror nga udhëheqësit e Republikës së Turqisë, pikërisht nga Presidenti i saj, Rexhep Tajjip Erdogan  së bashku me qeverinë shqiptare, u shpreh se duhet të kemi  pak durim dhe të mbajmë shpresën gjallë se së shpejti do të implementohet projekti i madh dhe shumë i mirëpritur për rikonstruksionin e xhamisë së Plumbit, i cili do të marrë formën e saj të plotë dhe të sigurt, siç i takon dhe e meriton kjo zonë shekullore islame...

Në fund të kësaj veprimtarie përkujtimore, të gjithë të pranishmit vizituan dhe bënë nga një foto në zonën tjetër historike, në vakfin 500 vjeçar e xhamisë së Tabakëve, që ndodhet pranë xhamisë së Plumbit.

Në vijim, dy nga nismëtaret për rihapjen e kësaj xhamie, Mehdi dhe Abdullah Myftia treguan para mediave për ngjarjet e rihapjes së xhamisë së Plumbit. 

“...Më 16 nëntor 1990 këtu u mblodhën besimtarë jo vetëm nga Shkodra, por nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet dhe fshatrat  e vendit. Ne bëmë përgatitje disa ditë më parë që të bëhej gati për besimtarët, edhe pse kishim pengesa nga sistemi komunist. Sistemi i asaj kohe na kërcënonte me burg, edhe popullsinë, besimtarët, por edhe neve që ishim si nismëtare të rihapjes së xhamisë për ti shërbyer besimtarëve. Edhe pse policia na pengonte dhe kishte rrethuar xhaminë ne nuk u ndalëm në misionin që i kishim vënë vetes...”

-Instituti turk "Yunus Emre" do të organizojë në Tiranë Akademinë e Medias

Instituti "Yunus Emre" Tiranë në bashkëpunim me disa institucione të tjera shqiptare dhe  turke, në mes tyre edhe TRT-ja do të organizojë Akademinë e Medias, një kurs rreth dyjavor që do të trajtojë tema të ndryshme.

Sipas njoftimit nga instituti, kanë filluar regjistrimet për Akademinë e Medias që organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Tiranë, Anadolu Agency (AA), Radio Televizionin e Turqisë (TRT) dhe Radio Televizionin Shqiptar.

Në këtë kurs, pjesëmarrësit do të marrin njohuri të shumta, nga specialistët më të njohur të fushës së medias në Turqi dhe Shqipëri.

Afati i fundit për regjistrimet do të jetë deri më 02 dhjetor 2021. Qëllimi i këtij kursi që organizohet për herë të dytë, është përcjellja e gazetarisë dhe publicistikës që mbështetet në baza objektive, të besuara dhe të sigurta tek të rinjtë që studiojnë në degë të ndryshme, si në gazetari, shkenca politike, diplomaci, marrëdhëniet me publikun dhe menaxhim, si dhe çdo personi që ka interes për median.

Gjithashtu synohet dhënia e mundësisë specialistëve të fushës për të ndarë me studentët eksperiencën e tyre dhe t’iu sigurojë studentëve mundësinë për t'u informuar mbi fushën e medias.

Kursi i Akademisë së Medias do të realizohet në datat 06-17 dhjetor të këtij viti me pjesëmarrjen e trajnuesve profesionistë nga Turqia dhe Shqipëria.

-Rikthehet panairi i 24-t i librit për virin 2021

Rikthehet pas një viti mungesë për shkak të pandemisë së koronavirusit panairi i 24-t i librit.

Kjo ngjarje kulturore bën bashkë botues, shkrimtarë, përkthyes dhe të apasionuarit pas librit në datat 17 -21 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Këtë vit ky panair përveç titujve të ri për lexuesit do sjellë takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, workshope, seminare etj.

Si çdo panair tjetër edhe këtë vit do të ndahen çmime sipas kategorive nga organizatorët.

Në aktivitetin e hapjes së panairit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, të shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, shkrimtarë dhe studiues.

Meri Kumbe, zëvendësministrja e Kulturës e Shqipërisë, gjatë fjalës në aktivitetin e hapjes së panairit tha sfidat aktuale të librit janë sfida mbarë globale.

"Urojmë që ky panair të jetë i mbarë, të ketë vizitorë të lartë, padyshim duke ruajtur gjithnjë shëndetin e të gjithëve. Sfidat e librit janë sfida mbarë globale tashmë, por ditët e vështira që kaluam gjatë pandemisë treguan dhe nënvizuan edhe një herë më fort rëndësinë që ka libri dhe leximi në jetën tonë", theksoi Kumbe.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, theksoi se qëllimi i tyre si organizatorë janë lexuesit.

"Ne jemi të bindur që me lexim, me libra dhe me kulturë Shqipëria do të shkojë përpara. Mendoj që kemi një rrugë për të cilën duhet të ngulim këmbë për bashkëpunimin me institucionet për të përmirësuar klimën e librit në Shqipëri, klimën e punës me librin në Shqipëri, pasurimin e bibliotekave, ngritjen e librarive dhe ngritjen e bibliotekave", tha Ymeri.

Në këtë panair marrin pjesë botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe institucionet turke që operojnë me aktivitetet e tyre kulturore, këtu në Shqipëri..

Panairi i 24-t i librit këtë vit organizohet me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.

Ndryshe nga herët e tjera ky panair do të organizohet duke respektuar masat anti-COVID-19.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme