Gjukanoviq: Koha është për ndryshime

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq vlerëson se është koha për ndryshime dhe se “Duhet të përpiqemi për një shumicë më të gjerë për të thyer më lehtë rezistencën që çdo qeveri dhe politikë has kur dëshiron të emancipojë shoqërinë.

1732251
Gjukanoviq: Koha është për ndryshime
Karadağ Cumhurbaşkanı_Milo Cukanoviç_Pandora Papers.jpg
Karadağ_URA Hareketi.jpg
Karadağ_Zlatko Vujoviç.jpg
Karadağ_Halk Sağlığı Merkez Kliniği.jpg
Karadağ_koronavirüs genel.jpeg

Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e gatshme për një "shumicë të gjerë dhe të fuqishme pro-evropiane"

Në Mal të Zi vazhdon përshkallëzimi i krizës qeveritare dhe mosmarrëveshjet në radhët e shumicës. Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, që është dhe Kryetari i partisë më të madhe opozitare (PDS), vlerëson se është koha për ndryshime dhe se “Duhet të përpiqemi për një shumicë më të gjerë për të thyer më lehtë rezistencën që çdo qeveri dhe politikë has kur dëshiron të emancipojë shoqërinë. Prandaj është shumë e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të tregojmë gatishmëri për të zgjeruar kapacitetet tona të koalicionit, për të krijuar kushte për krijimin e shumicës më të gjerë dhe më të fuqishme proevropiane në Mal të Zi”. Sipas Gjukanoviq mazhoranca aktuale në pushtet dëshiron ta kthejë Malin e Zi "dekada, ndoshta edhe shekuj prapa". "Mendoj se ata duan të na kthejnë në mesjetë dhe të zgjidhin sfidat aktuale, me të cilat përballet njerëzimi modern me dogma fetare nga Mesjeta," duke shtuar se "Mali i Zi nuk ka nevojë për këtë. Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar pas 30 vitesh, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe partnerët e saj të koalicionit kaluan në opozitë, me një deputet më pak se koalicioni i tanishëm treanëtarësh i kryesuar nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, që mbështesin Qeverinë e Kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Derisa shumica qeveritare në Mal te Zi tenton që deri në fund të kësaj jave (të premten më 12 nëntor) të gjejë një zgjidhje për vazhdimin e qeverisjes, në radhët e opozitës po shtohen zërat për krijimin e një qeverie teknike e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

Analisti i zhvillimeve politike në Mal të Zi, Zlatko Vujoviq thotë për Zërin e Turqisë se tashmë është e qartë se shumica parlamentare nuk mund të arrijë një konsensus, qoftë edhe për gjërat elementare.

Andaj tash sa muaj flitet për rikompozimin e skenës politike ose mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Një opsion është formimi i qeverisë së pakicës e kombinuar me ekspertë dhe politikanë, ose vetëm qeveri politike, e cila do të kishte përkrahjen e opozitës që do të krijonte kushtet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, e me këtë do t’i jepej fund krizës politike, ka shtuar Vujoviq. 

Shqiptarët në pushtetin e ri - jo me ç’do kusht dhe jo me ç’do kënd

Në radhët e opozitës aktuale janë dy deputetë të koalicioneve shqiptare. Për politikanen shqiptare Hatixhe Gjoni “situata politike në Mal të Zi që nga 30 gushti i vitit të kaluar është me shumë trazira politike brenda radhëve të koalicionit qeveritar dhe për çdo kënd është vështirë të parashohë se cili variant mund të sjellë stabilitet në Mal të Zi.” Ajo çfarë paraqitet si mundësi është formimi i një koalicioni të zgjeruar i përbërë nga disa parti të pushtetit aktual që do të inkuadronin dhe parti të tjera politike. Këto parti,- thotë për Zërin e Turqisë Hatixhe Gjoni,- duhet të kenë një platformë të përbashkët, ku në fokus do të ishte shteti i Malit të Zi, integrimet evropiane, NATO etj.

Partitë shqiptare edhe pakicat e tjera në Mal të Zi është mirë të jenë pjesë e pushtetit, por jo pjesë e pushtetit me çdo kusht ose me çdo kënd, ka shtuar znj. Gjoni.

Deputeti i Koalicionit Shqiptar “Një zëri” Fatmir Gjeka, jemi të gatshëm për bisedime 

Deputeti i Koalicionit Shqiptar “Një zëri”, Fatmir Gjeka ka thënë se kanë marrë thirrje nga kryeministri Zdravko Krivokapiq për takim javën e ardhshme. Ai ka theksuar se në këtë takim nuk do të kenë kurrfarë kërkesash të veçanta. Gjeka ka shtuar se akoma nuk e dinë datën e saktë të takimit me Krivokapiqin. Sa na takon neve, siç ka thënë ai, gjithmonë kemi folur se janë të gatshëm për bisedime dhe mbesim me këtë qëndrim, edhe pse u duket se kjo në një farë mënyre u është imponuar. Për shembull, ne sot nuk e dimë nëse qeveria e tij do të ri-konstruktohet dhe nëse do të mbijetojë. Këtë duhet ta shqyrtojnë shumica parlamentare dhe qeveria brena vetës, ka thënë Gjeka.

URA: Qeveria e ekspertëve është kompromisi më adekuat

Qeveria e eksperteve është kompromisi më adekuat për funksionimin e shumicës aktuale dhe se modeli i këtillë nuk ka pësuar humbje, është vlerësuar nga Lëvizja qytetare URA. Ata kanë sqaruar përse insistojnë në Qeveri të eksperteve, jopartiake. Me ne gjithmonë kanë qenë punët e pastra. Më 30 tetor të vitit të kaluar është vërtetuar marrëveshja e mëhershme me përfaqësuesit e dy koalicioneve të tjera se Qeveria e re do të jetë e eksperteve, është kumtuar nga URA. Edhe përkundër kësaj marrëveshjeje, në të cilën bazohet pushteti aktual, siç rikujtojnë, më 15 shtator të këtij viti, në mbrëmje vonë, liderët e dy koalicioneve të tjera Mandiq e Beçiq, me dyer të mbyllura bënë konceptin e ri të qeverisë dhe ndarjen e resorëve. URA, gjërat e këtilla asnjëherë nuk do t’i pranojë. Politika e URA-s nuk ka asnjë të përbashkët në pikësynim ideologjik me politikën e Frontit Demokratik, kurse muajve të fundit as me politikën e Demokratëve, kanë thënë nga kjo parti. Për këtë arsye, siç kanë theksuar, janë përcaktuar për qeveri të eksperteve, sepse ajo është rruga më e mirë e tranzicionit. URA pranon formatim të qeverisë, avancim dhe rikonstruktim në baza të njëjta, por nëse këtë nuk e dëshirojnë, pas dyerve të mbyllura do t’u duhet të kërkojnë partnerë të ri.

Në Mal të Zi kanë vdekur 6 persona, kurse 732 të tjerë janë konfirmuar pozitiv 

Si pasojë e infektimit me koronavirus sot në Mal të Zi kanë vdekur 6 persona, kurse 732 të tjerë janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me COVID-19 në Mal të Zi deri më tani ka shkuar në 2.169 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 451 pacientëve. Numri aktual i të prekurve me virus është 5.633, kurse prej fillimit të pandemisë, kjo shifër ka shkuar në 149 mijë e 729 persona. Në Qendër Klinike janë duke marrë trajtim 142 pacientë të prekur nga koronavirusi, prej të cilëve 61 janë në gjendje të rëndë. Sipas të dhënave më të fundit, aktualisht janë të infektuar rreth 5 mijë 400 Persona. Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Milena Popoviq Samarxhiq tha se numri i personave të infektuar me koronavirus pritet të rritet në muajt e ardhshëm të dimrit. Ajo kujtoi se mbi 93 për qind e të gjitha vdekjeve në Mal Të Zi kanë qenë të pa vaksinuar. Epidemiologia Samarxhiq, po ashtu bëri me dije se pas 5-6 Muajve të vaksinimit dobësohet imuniteti, andaj këshilloi dozën e tretë të vaksinës Pfizer. Deri tani në Mal të Zi, 57,2 për qind e popullsisë së moshës madhore janë vaksinuar me dozën e parë, kurse 54 për qind janë rivaksinuar. Dozën e tretë në 24 orët e fundit e kanë marrë mbi 1 mijë e 700 persona.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme