Kryeministri Kurti merr mbështetje nga Rama për reciprocitetin me targat

Kryeministri iRepublikës së Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim sot më 27 janar, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Të dy kryeministrat u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

1711135
Kryeministri Kurti merr mbështetje nga Rama për reciprocitetin me targat

Kryeministri Kurti merr mbështetje nga Rama për reciprocitetin me targa

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, sot më 27 shtator, ka vizituar Kosovën dhe është pritur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë një konference të përbashkët për medie pas takimit, Kurti tha se dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projektet e përbashkëta.

“Ne duhet ta rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në dy anët e kufirit dhe në gjithë rajonin. Ndërlidhja ndërmjet dy vendeve dhe heqja e barrierave është domosdoshmëri. Do të punojmë që tregu të jetë sa më unik, që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Nëse ka vende ku mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt është Kosova dhe Shqipëria, sespe jo vetëm që e njohin mirë njëra tjetrën por edhe kemi besimin e plotë tek njëra-tjetra”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës më tej ka shtuar se me Ramën kanë biseduar për të gjitha fushat dhe në veçanti u zotuan për zbatimi të marrëveshjeve të dy  qeverive.

*

Rama kërkon që Serbia ta njohë realitetin se Kosova është e pavarur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se Serbia duhet ta njoh realitetin e pa kthyeshëm e që është se Kosova është e pavarur.

“Është për të ardhur keq se në vend të përparimit të dialogut dhe njohjes reciproke, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale të ushtrisë së Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serb në veriun e Kosovës”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pa kërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike.

Rama shtoi se reciprociteti për targa është normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës, por edhe marrëveshje e arritur me kohë në mes dy qeverive.

“Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë është se e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë që ti kthej targat e automjeteve, në një pritshmëri konfliktuale ku mizën po e bënë buall thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.

*

Kurti pas bisedës me Borrell e Stoltenberg thotë se dialogu është zgjidhja e vetme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë telefonike me emisarin special të BE-së për dialogun me Serbinë, Josep Borrellin dhe sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës.

“Në bisedat telefonike sot me Borrellin dhe Stoltenbergun ne diskutuam sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë dhe nevojën për de-përshkallëzim në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë që nga e hëna e kaluar, pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Automjetet nga Serbia kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës. E marrëveshja për targa ka skaduar më 15 shtator, pas së cilës qeveria e Kosovës morri vendim për reciprocitet.

*

Kurti takim me vendet e Quintit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE-së, ka bërë të ditur se nuk do të heq dorë nga reciprociteti mbi targat e përkohshme përballë Serbisë.

Sipas tij, ose të dyja shtetet duhet t’i mbajnë targat e përkohshme ose të dyja duhet t’i largojnë ato.

Kurti tha se vendimi nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”, tha Kurti duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.

Kurti tha se te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Ai tha se duhet ose të mbahen këto lloj targash nga të dyja shtetet ose të hiqen nga të dyja palët.

*

Kurti kërkon nga krerët e komunave serbe në Kosovë t’i largojnë pengesat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës ta largojnë bllokadën e formuar me automjete në rrugët që çojnë për në dy pika kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kurti, në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, tha se është njoftuar se pengesat e vendosura në rrugë që shpijnë në pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak, janë duke u bërë me kamionë të cilët janë pronë e institucioneve komunale dhe “kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike”.

Në këtë mënyrë, Kurti ftoi krerë të komunave me shumicë serbe dhe qytetarët serbë, që t’i largojnë pengesat nga rruga.

*

Presidentja Osmani thirrje BE-së të ushtrojë presion mbi Serbinë

Lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë mbi targat e automjeteve ka reaguar edhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se reciprociteti nuk mund të shihet si veprim i njëanshëm.

"Kosova sot ka zbatuar në plotësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë. Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja", ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Sipas presidentes Osmani, Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 dhe që ka shkelur marrëveshjet e Brukselit e jo Kosova.

Osmani i bën thirrje BE-së që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që "të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës".

*

Sot fillon viti i ri shkollor

Sot (e hënë 27 shtator), pas shtyrjeve të vazhdueshme të procesit mësimor shkaku i situatës me pandeminë COVID-19, fillon mësimi në shkollat e Kosovës.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, MASHTI ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.

Përveç mësimit me prezencë janë bërë edhe përgatitjet për organizimin e mësimit online, në rast nevoje.

Ministria e Arsimit gjithashtu ka bërë të ditur se në takimin e realizuar të Task-forcës, ku përfaqësohet nga të gjitha institucionet relevante si: IKSHPK, SBASHK, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit u rekomandua për kompensimin e ditëve të humbura mësimore si pasojë e gjendjes me Pandeminë COVID-19.

Kompensimi i 18 ditëve të mësimit të humbura për vitin shkollor 2021-2022, do të bëhet të shtunave duke filluar nga data 9 tetor 2021 e deri më 24 qershor 2022.

*

Nga sot hyrja në lokale vetëm me dëshmi të vaksinimit apo testit negativ

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten mori vendim për masat e reja lehtësuese antiCOVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi sot më 27 shtator.

Si rezultat i këtyre masave sot janë hapur shkollat dhe çerdhet, e po ashtu nga sot do të lejohet sektori i gastronomisë që të punojë edhe në ambientet e mbyllura, duke shfrytëzuar 50 % të kapaciteteve, por me kusht që klientët të posedojnë dëshmi se janë të vaksinuar, test negativ apo serologjik.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se verifikimi është i lejueshëm edhe përmes formës elektronike, përmes QR kodit, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë për bizneset që shkelin masat antiCOVID-19.

Gastronomia deri më sot është lejuar të punojnë vetëm në ambiente të hapura.

Me gjithë lehtësimet e reja, në fuqi do të vazhdojë të mbes ora policore, ku pas orës 22:00 ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç rasteve urgjente.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë qendrat tregtare, Call center, Gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.



Lajme të ngjashme