Merkel: BE të mbante fjalën e vet për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të martën në Tiranë se “Shqipëria ka mbështetjen e BE-së për hapjen e negociatave”.

1706776
Merkel: BE të mbante fjalën e vet për hapjen e negociatave me Shqipërinë
Angela Merkel_Batı Balkanlar ülkelerin  liderleriyle_Tiran.jpg
Arnavutluk Meclisi yeni yasama dönemi_2021.jpg
Arnavutluk Meclisi yeni yasama dönemi_2021_2.jpg
Arnavutluk Meclisi yeni yasama dönemi_2021_Lindita Nikolla.jpg
Arnavutluk_Yunus Emre_resim sergisi_1.jpg
Arnavutluk_Yunus Emre_resim sergisi_2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (37/2021)

-Merkel: BE të mbante fjalën e vet për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të martën në Tiranë se “Shqipëria ka mbështetjen e BE-së për hapjen e negociatave”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, Merkel theksoi se “unë sigurisht që nuk kam ndërmend të luaj rol aktiv politik, por do të jem mike e rajonit, do të jap këshilla”.

“Përvojat për veton janë bërë disa herë, nuk ka të bëjë vetëm me rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Unë jam shpresëplotë. Kemi bërë njëfarë pune, kemi pasur disa arritje”, deklaroi Merkel.

Kancelarja gjermane tha se “sigurisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur mbështetjen e të gjitha vendeve të BE për të hapur negociatat, e kemi fjalën për konferencën ndërqeveritare”.

Merkel theksoi se, “...shtetet anëtare të BE-së do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kushtet për t’u përmbushur apo për të nisur procesin e anëtarësimit, dhe kemi thënë se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë, dhe në momentin që këto kushte plotësohen do të duhej që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe po themi të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo nuk është e mundur dhe kjo sjell zhgënjim, dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që rezulton së këtejmi...”, tha kancelarja Merkel.

Ndërsa, Rama i shprehu Kancelares mirënjohjen për atë që Gjermania ka bërë për Shqipërinë. “Nuk po hyj t’i numëroj, se janë shumë në aspektin e mbështetjes bilaterale dhe atë që Kancelarja personalisht ka bërë për rajonin”, tha Rama.

Kryeministri tha se e respekton maksimalisht faktin se Kancelarja është një lidere që drejton Gjermaninë prej shumë e shumë vitesh por që asnjëherë nuk ka munguar t’i japë zemër politikës evropiane. Por njëkohësisht, vijoi ai, “është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë, oraret të rëndësishme”.

Rama tha se “sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë sesa ishte para se Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit”.

Kryeministri Edi Rama i dorëzoi Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Merkel gjatë një vizitë zyrtare në Tiranë u takua në fillim me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave.

Kancelarja gjermane përgjatë qëndrimit prej 8 orësh në Tiranë dha mesazhe të rëndësishme për integrimin evropian të Shqipërisë si dhe bashkëpunimin rajonal.

Merkel zhvilloi një takim në Tiranë edhe me krerët e qeverive të Ballkanit.

Takimi mes Kancelares Merkel, Kryeministrit Edi Rama dhe krerëve të tjerë të qeverive të Ballkanit u zhvillua në ambientet e Tirana Business Park.

***

-Mbretëria e Arabisë Saudite, mbështetje agjendës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princi Faisal Bin Farhan Al Saud shprehu mbështetjen për agjendën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Princi Faisal Bin Farhan Al Saud, i cili zhvilloi në fundjavën e kaluar një vizitë zyrtare në Tiranë, u ndal te anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

“...Folëm për agjendën e Shqipërisë dhe këtu Mbretëria e Arabisë Saudite do t’ju japë mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë. Ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kolegët tanë nga Shqipëria dhe Përfaqësuesit e Shqipërisë në OKB. Ne do të japim të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen tonë për këtë agjendë të Shqipërisë meqë Arabia Saudite ka në fakt një program shumë ambicioz për vitin 2030 me këtë vizion. Ne me zor presim të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë në komunitetin global, jo vetë për begati për mbretërinë tonë, por edhe për të gjithë bashkësinë globale. Shpresoj që Shqipëria do të jetë partner kyç...”, tha ai.

Princi Faisal Bin Farhan Al Saud u shpreh po ashtu se “Mbretëria e Arabisë Saudite e vlerëson shumë miqësinë me Shqipërinë, një miqësi që ka ecur për vite të tëra, por që është fuqizuar pikërisht nga vizita e Kryeministrit të Shqipërisë”.

Princi Faisal Bin Farhan Al Saud tha po ashtu se mbledhja e Komitetit të Përbashkët që u zhvillua për herë të fundit në vitin 2019, është mjaft e rëndësishme.

 Nga ana tjetër, kryeministri Rama ritheksoi se Arabia Saudite e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë një nga mbështetëset e rëndësishme të të gjitha përpjekjeve tona të kandidaturave të Kosovës në institucionet e ndryshme ndërkombëtare.

“...Patjetër që zëri i Arabisë Saudite është me shumë peshë dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Princin Faisal. Jemi vërtetë me fat që është sot në krye të Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite për shkak të njohjes së thellë që ka për rajonin tonë, në mënyrë që të rrisim ndjeshmërinë dhe të rrisim nga ana tjetër edhe qartësinë e atyre vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe të Ligës Arabe që ende nuk e kanë njohur Kosovën...”, tha Rama.

***

-Nisi Legjislatura X e Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë nisi më 10 shtator punimet për Legjislaturën X të tij.

Punimet e seancës plenare u drejtuan nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.

Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit ka në përbërje të tij 140 deputetë.

Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njoftoi Kuvendit emrat e personave të zgjedhur.

Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrtoi dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve.

Pas verifikimit të mandateve deputetët bënë betimin kushtetues.

Nga ana tjetër, Lindita Nikolla, deputete e Partisë Socialiste, u zgjodh me 79 vota pro dhe 4 vota kundër, Kryetare e Kuvendit.

Deputetët e Partisë Demokratike në mënyrë demonstrative grisën fletët e votimit pranë kutisë.

Kujtojmë se pas më shumë se dy vite nga largimi, PD rikthehet në Kuvend.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka vendosur që të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie ish-kryeministrin Sali Berisha, pas shpalljes së tij “person non grata” nga SHBA-ja.

Në një deklaratë Basha tha se Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.

Në maj të këtij viti, ish-kryeministri Sali Berisha u shpall si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA.

Ndërkaq, konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit do t’i hapë rrugë miratimit të qeverisë së re, e cila të martën u dekretua nga Presidenti Meta.

Në zgjedhjet e 25 Prillit, Partia Socialiste mori 74 mandate, koalicioni PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.

***

-Në Shqipëri zhvillohet ekspozita e radhës me piktura për poetin Yunus Emre

Nën kujdesin e institutit turk “Yunus Emre” Tiranë është hapur ekspozita me piktura me temë "Çfarë na transmeton Yunusi?", ku në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se Yunus Emre është një figurë shumë e rëndësishme.

"Për mua Yunus Emre është pasuria, thesari i Anadollit, është gjithashtu dhe dashuria dhe vlerat shumë të mira njerëzore që ai përfaqëson", tha ai.

Ambasadori turk, duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha se shpreson shumë që pasi të shikohen veprat e ekspozitës, të kuptohen akoma më mirë Yunus Emre dhe vlerat universale që ai ka përcjellë.

Drejtori i institutit "Yunus Emre" Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, theksoi se si institut po organizojnë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme në përkujtim të poetit Yunus Emre. "Jemi mbledhur edhe sot pikërisht për përkujtimin e Yunus Emre-së", tha ai.

Kryetari i Fondacionit të Rinisë Turke (TÜGVA), Enes Eminoğlu, tha se shpreson që ky mos të jetë organizimi i fundit, por të jetë një fillim i mbarë edhe për organizime në vijim, për bashkëpunimin midis Turqisë dhe Shqipërisë. "Ashtu siç mbështesim për zhvillimin fizik dhe psikologjik të studenteve dhe të rinjve në Turqi, ashtu kemi si qëllim për të zhvilluar të rinjtë në Shqipëri", u shpreh Eminoğlu.

Zëvendëskryetari i Gjysmëhënës Kuqe Turke, İsmail Hakki Turunç, në fjalën e tij tha se punimet e ekspozitës prekin zemrat e njerëzve.

"Këto vepra që prekin zemrat e njerëzve do të hapin dritare të reja dhe do të forcojnë marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore. Është shumë e rëndësishme në fakt për njerëzit që të duhen dhe kuptohen me njeri-tjetrin", tha Turunç.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve në Tiranë, Artan Peqini, i cili vlerësoi bashkëpunimin me institucionet turke. Ai tha se organizime të tilla janë një mundësi e mirë për komunikimin mes dy vendeve.

Ekspozita që qëndroi e hapur deri më datë 12 shtator organizohet në kuadër të vitit 2021 si Viti i Yunus Emre-së.

Në ekspozitë u paraqiten punimet e përzgjedhura të pjesëmarrësve në "Konkursin e Pikturës Yunus Emre 2021" nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Bullgaria, konkurs i cili u organizua gjatë muajve të verës nga instituti “Yunus Emre” Tiranë.

***

-Mbërrijnë udhëtarët e parë me “Naimin” në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit

Kompania flamurmbajtëse shqiptare “Air Albania” bëri të ditur se kanë mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit udhëtarët e parë me “Naimin”, avionin më të ri të saj.

“Naimi” është avioni i tretë që i bashkohet kompanisë flamurmbajtëse shqiptare, duke e çuar kështu në 3 avionë flotën aktive të “Air Albania”.

Pas “Lasgushit” dhe “Migjenit”, linjës së fluturimeve “Air Albania” iu shtua para pak ditëve edhe avioni që mban emrin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Naimit”, i cili do të mbulojë linjat Verona, Bergamo e Pisa me Italinë.

Air Albania”, e themeluar në maj të vitit 2018 me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e qeverisë shqiptare dhe “Turkish Airlines” (THY). Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme