Zjarret në Shqipëri/Ministri Peleshi solidarizohet me Turqinë dhe me vende të tjera të rajonit

Në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në jug të Shqipërisë, kryesisht në Qarkun e Vlorës, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuara edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

1685738
Zjarret në Shqipëri/Ministri Peleshi solidarizohet me Turqinë dhe me vende të tjera të rajonit
Arnavutluk_yangınlar_2.jpg
Arnavutluk_yangınlar_1.jpg
Arnavutluk_aşılama_1.jpg
Arnavutluk_Berat_turizm.jpg
İşkodra_Za Fest_1.jpg
İşkodra_Za Fest_2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (31/2021)

Në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në jug të Shqipërisë, kryesisht në Qarkun e Vlorës, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse e autoambulanca janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit të së martës në operacionin për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit.

"Flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat. Aksioni po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri për të vënën nën kontroll flakët, në mënyrë që ato të mos përparojnë drejt Parkut të Llogarasë", theksohet në njoftim.

Gadishulli i Karaburunit mbetet e vetmja vatër serioze zjarri në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shoqëruar edhe nga prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj ishin në Bazën e Pashalimanit, ku panë nga afër përpjekjet e forcave zjarrfikëse dhe atyre të FA, të cilët prej ditësh vijojnë punën për vënien nën kontroll të flakëve edhe në zona të tjera shqiptare.

“...Forcat tona të Armatosura janë në të gjithë territorin që në ditën e parë, kur ka filluar kjo stinë e nxehtë, që është pasuar nga zjarre të shumtë. Natyrisht komandanti i bazës ka bërë një punë shumë të mirë dhe duke qenë se rrezikun e kemi prezent do të vazhdojmë punën me shumë intensitet dhe shpresojmë që ta vendosin nën kontroll dhe të fikim brenda pak orësh, le të themi brenda ditës së sotme, por ky nuk mund të jetë një premtim. Kushtet atmosferike janë të paparashikueshme, sidomos në një zonë si Gadishulli i Karaburunit...", u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Ministri Peleshi shprehu solidaritetin edhe me autoritetet dhe qytetarët e vendeve si Turqia, Greqia, të cilët po përballen me një situatë të tillë...

Ministri Peleshi tha se flakët kërcënuan edhe Bazën e Pashalimanit, por falë punës së jashtëzakonshme të mbi 200 efektivëve të FA dhe punonjësve zjarrfikës të qarkut, kjo bazë e rëndësishme u mbajt jashtë rrezikut.

“...Ne e konsiderojmë deri tani të menaxhuar me sukses... Më afër kërcënimit të zjarreve kanë qenë banesat në zonën e Ksamilit dhe në një fshat të Përmetit. Por tani ato janë shuar. Kanë punuar respektivisht njëzet e ca efektivë të Forcave të Armatosura në secilën prej këtyre dy vatrave që iu afruan edhe për shkak të erërave banesave...”, tha Peleshi.

Sipas ministrisë vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve edhe në zonat e Qarkut Shkodër dhe në Qarkun e Gjirokastrës.

Në të gjithë Shqipërinë janë në gatishmëri rreth 1200 efektivë të FA, ndërsa janë kryer mbi 60 fluturime me helikopter për të shuar flakët.

Nga ana tjetër, një person ka humbur jetën në Shqipëri dhe një tjetër ka mbetur i lënduar nga zjarret që kanë përfshirë territorin shqiptar gjatë ditëve të fundit.

Vdekjen e një banori të Qarkut të Gjirokastrës në jug e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili në rrjetet sociale ka publikuar një video ku flet mbi situatën e fundit në qark.

"Është një situatë shumë e vështirë me vatra zjarri të lokalizuara në vende të ndryshme dhe nuk është kollaj të vendosen nën kontroll. Kemi humbje jete të një banori dhe duhet evakuim në tre fshatra. Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi qëndruar këtu dhe me forcat ajrore që po zhvendosen drejt Gjirokastrës", është shprehur Peleshi.

Shqipëria gjatë ditëve të fundit është përfshirë nga temperatura të larta, duke arritur deri në 43 gradë, të cilat kanë shkaktuar edhe zjarre në disa qarqe, kryesisht në zonat me pyje dhe shkurre.

***

-Gushti, muaji i hapur i vaksinimit antiCOVID në Shqipëri 

Gushti është muaj i hapur i vaksinimit për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku mund të paraqiten me kartën e identitetit.

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një apel qytetarëve që të shfrytëzojnë gushtin për t’u vaksinuar.

Rama ka publikuar një video me disa nga momentet kur mjekët ishin në përballje me COVID për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Ndërkaq, prej fillimit të fushatës “Shqipëria buzëqesh”,janë kryer në total deri të mërkurën 1.212.761 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 534.823 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.

Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.

***

-KE: Rritja ekonomike në Shqipëri 5,5%, ndikim investimet dhe eksportet

Komisioni Evropian publikoi raportin ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, sipas të cilit Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në rajon u rrit me një mesatare prej 1,7%, krahasuar me një tkurrje prej 0,9% në tremujorin paraardhës.

Në raport analizohen vendet e BP kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE.

Sipas Komisionit, rimëkëmbja u mbështet nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri dhe në Serbi.

“Investimet në rritje dhe një zgjerim i eksporteve të mallrave ishin nxitësit kryesorë të rritjes”, thuhet në raport.

Për Shqipërinë, Komisioni Evropian thekson në raport se ringritja ekonomike filloi që në tremujorin e katërt të vitit 2020 me një zgjerim prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti rritja llogaritet 5,5%.

“Rritja e shpenzimeve qeveritare me 5.2% dhe veçanërisht, niveli i lartë i investimeve dhe eksporteve të mallrave me 21,1% dhe 33% respektivisht mbështetën rritjen ekonomike, ndërkohë që konsumi ishte modest me një rritje prej vetëm 1,5%”, vlerëson KE.

Raporti vlerëson se treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit mbi mesataren e saj historike në prill, për të parën kohë që nga fillimi i krizës. Sipas raportit, një sondazh i muajit maj konfirmoi përmirësimin e besimit te industria dhe tregtia, ndërsa besimi i konsumatorit u konfirmua në një masë më të vogël dhe mbeti nën mesataren historike.

***

-Mbi 30 mijë vizitorë gjatë muajit të kaluar në Berat, kryesojnë turistët nga Evropa Qendrore dhe Lindore 

Turizmi kulturor në Berat është në rritje dhe shifrat janë optimiste, ndërkohë që dominojnë turistët nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani, në  një prononcim tha se gjatë muajit korrik Beratin e vizituan rreth 30 034 vizitorë.

Edhe pse janë akoma shumë larg nga shifrat e vitit 2019, Kallfani shpreh bindjen se “tashmë rimëkëmbja e gjatë, por e qëndrueshme e fluksit të vizitorëve vazhdon”.

Sipas tij, “e veçanta e këtij viti është larmishmëria e kombësive nga e gjithë bota edhe pse deri tani dominojnë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore”.

“Berati është vlerë e jashtëzakonshme e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Ta mbrojmë e të kujdesemi të gjithë së bashku”, u shpreh Kallfani.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture, në mes tyre edhe monumentet osmane dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.

***

-“Za Fest” promovon vlerat kulturore në Shkodër

Edicioni i 5-të i festivalit “Za Fest” iu kushtua qytetit të Shkodrës, me aktivitete të mbajtura 3 ditë me radhë në Shirokë, në rrugën muzeale të Gjuhadolit dhe koncert në kalanë e Rozafës.

Festivali i mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë, bëri bashkë artistë të njohur shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë, si Shpat Deda, Josif Gjipani, Ekland Hasa, Gjon’s Tears, Gentian Doda, Vlashent Sata, Gipsy Barcelona Balkan Orchestra etj.

Festivali e shndërroi mbrëmjen e të hënës kalanë e Shkodrës në një arenë festive me praninë e shumë të rinjve.

Festivali i cili ka nisur rrugëtimin 5 vite më parë, në Theth, për të zbuluar thesaret e folklorit shqiptar, kishte të ndërthurur muzikën, legjendat, poezinë dhe kinemanë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme