Kurti nuk e do nismën “Ballkani i Hapur”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mos-ballafaqimi i kreut të Serbisë Aleksandar Vuçiq, me të kaluarën kriminale të Serbisë,

1683987
Kurti nuk e do nismën “Ballkani i Hapur”
Kosova Başbakanı_Albin Kurti.jpg
Açık Balkan Girişimi - Kuzey Makedonya, Arnavutluk ve Sırbistan.jpg
Albin Kurti_Edi Rama.jpg
Kosova_Priştine_Saat Kulesi.jpg
Rreze Hoxha Zhuja.jpg

Kurti nuk e do nismën “Ballkani i Hapur”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mos-ballafaqimi i kreut të Serbisë Aleksandar Vuçiq, me të kaluarën kriminale të Serbisë, e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Këto komente Kurti i bërë duke komentuar takimin e tri shteteve fqinje për mini-schengenin, që tani më quhet “Open Balkan”, përkatësisht “Ballkani i Hapur”.

Kurti tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim i emërtimit.

"Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti.

*

Kurti thotë se ai dhe kryeministri Rama duhet ta përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve për raporte të mira mes Kosovës e Shqipërisë 

Mos qëndrimi në një linjë të njëjtë për çështje të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, e ryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ka bërë të mendohet për raporte jo të mira mes Kosovës e Shqipërisë. Mirëpo, kryeministri Kurti në prononcimin e së dielës, ka thënë se Kosova e Shqipëria, e posaçërisht qytetarët e të dy vendeve duhet ti kenë raportet e mira.

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha ai.

*

Rriten kërkesat për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit në Kosovë

Gjatë këtij viti, krahasuar me vitin 2020, është rritur numri i ankesave dhe kërkesave për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit në Kosovë, thotë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Këto dhe të gjetura të tjera u publikuan në një konferencë për media të premten në Prishtinë me temë "Mekanizmi disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Drejtësia Sot, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar të gjitha kërkesat për fillim të procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, për periudhën janar-qershor 2021, e më pas për të njëjtat ka krijuar Panele Hetimore, gjë të cilën ajo e konsideroi hap pozitiv.

"KPK mban një praktikë shumë të mirë të publikimit të vendimeve të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara të KPK-së, duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë dhe të qasshme për publikun. Një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku vendimet e marra nga Gjykata Supreme nuk janë të publikuara", tha Hoxha-Zhuja.

Drejtësia Sot gjithashtu ka gjetur se ka zbrazëti juridike në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pasi siç tha Hoxha-Zhuja, ligji nuk parasheh dispozitë lidhur me ankesat kundrejt gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që i drejtohen Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Hoxha-Zhuja e vlerëson pozitive çështjen e inicimit dhe ankimit në procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, pavarësisht që ligji që e rregullon veprimtarinë e këtij institucioni nuk ja njeh një kompetencë të tillë.

Gjithashtu, Drejtësia Sot, konsideron se Ministria e Drejtësisë duhet të përcaktojë autoritetin kompetent tek i cili duhet paraqitur ankesat ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.

*

Restaurohet Sahat Kulla e Prishtinës 

Komuna e Prishtinës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkët për restaurimin e njërit ndër monumentet më të rëndësishme të Prishtinës, Sahat Kullës. Përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko tha se projekti përfshinë një numër religjionesh dhe kulturash të ndryshme në Kosovë.

“Ajo gjithashtu është shembull i arkitekturës utalitariane dhe vërtetë është me rëndësi që ajo të restaurohet. Ne dëshirojmë që ajo të bëhet e fortë dhe të qëndrojë për gjeneratat e ardhshme”, tha Suokko.

Për atë se çfarë do të përfshijë restaurimi në fjalë, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Ardian Berisha tha se monumenti do të restaurohet në tërësi në shumicën prej elementeve të tij, pa i humbur origjinalitetin e kohës kur është ndërtuar.

“Projekti do të jetë bashkëfinancim në vlerë prej 120 mijë eurosh. Ne si Komunë kemi ndarë 70 mijë euro dhe pjesën tjetër UNDP-ja”, tha Berisha.

Restaurimi i monumentit, parashihet të zgjasë 90 ditë.

Sahat Kulla u ndërtua në shekullin e XIX gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

Zakonisht çdo qytet në Perandorinë Osmane kishte nevojë për një Sahat Kullë në mënyrë që besimtarët të dinin kohën për të shkuar në xhami dhe kohën kur dyqanet do të hapeshin dhe mbylleshin.

*

Ekipi i artë i Xhudos kthehet në Kosovë

Ekipi olimpik i Kosovës në xhudo të dielën është nisur nga Tokio drejt Kosovës, pas mbi dy javë qëndrimi në Tokio të Japonisë, ku u stolisën me dy medalje të arta, të fituara nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Ekipi do të arrijë sot (e hënë), në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, rreth orës 19:50. Në aeroport do të organizohet konferencë për media, kurse ceremonia kryesore zhvillohet në sheshin e Prishtinës, me fillim prej orës 21:00.

*

Ministri Sveçla thotë se po punohet në vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit

Ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla tha se vatrat e zjarrit në Komunën e Pejës janë lokalizuar dhe autoritetet po punojnë në vënien nën kontroll të tyre.

Të premten, në fshatin Shtupeq të Rugovës shpërtheu zjarri.

“Gjendja e vatrave të zjarrit është lokalizuar dhe po punohet pandërprerë në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit si nga zjarrfikësit, FSK-ja dhe KFOR-i, të cilët janë plotësisht të përkushtuar të përfundojnë me sukses këtë intervenim. Qytetarët dhe prona e tyre, deri në këto momente, janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për asnjë shqetësim”, tha ministri Sveçla përmes një postimi në Facebook.

*

Vazhdon vapa edhe në muajin gusht 

Në javën e parë të muajit gusht që filloi sot, situata meteorologjike në Kosovë do të vazhdojë të mbetet pothuaj e ngjashme me ditët e fundit të muajit korrik, si pasojë e prezencës së masave të nxehta të ardhura nga Afrika Veriore. Në fushat barike nuk do të ketë luhatje të theksuara, kështu që kjo situatë termike do të vazhdon deri ditën e enjte ku parashihen rënie të përkohshme të temperaturave maksimale. Nuk përjashtohet mundësia për stuhi lokale të cilat përpos reshjeve dhe shkarkimeve elektrike do të shoqërohen edhe me erëra lokale të forta. Temperaturat minimale mbeten pothuaj konstante me ditët e fundit, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të kenë ulje të lehta. Minimalet ndërmjet 16 e 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 27 e 37 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga perëndimi dhe jugperëndimi, e lehtë dhe lokale e fortë.

Apelohet te qytetaret që t’i respektojnë këshillat për mosekspozim ndaj rrezeve të diellit, gjithashtu apelohet te qytetaret të mos ndezin zjarre, thuhet në komunikatën për media të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.



Lajme të ngjashme