MEPJ e Shqipërisë apel për rikthimin e qetësisë në Jerusalem dhe Gazë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ka reaguar për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Rripin e Gazës dhe në Jerusalem (Kudsin Sherif).

1639006
MEPJ e Shqipërisë apel për rikthimin e qetësisë në Jerusalem dhe Gazë
gazze filistin.jpg
Arnavutluk_İşkodra_Kadir Gecesi_3.jpg
Arnavutluk_İşkodra_Kadir Gecesi_2.jpg
Arnavutluk_ATTSO_Ramazan Gıda Yardımı_1.jpg
Arnavutluk_ATTSO_Ramazan Gıda Yardımı_4.jpg
Arnavutluk_RIDA Derneği_Ramazan Gıda Yardımı_3.jpg
Arnavutluk_RIDA Derneği_Ramazan Gıda Yardımı_5.jpg
Arnavutluk_Avrupa Günü.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (19/2021)

-MEPJ e Shqipërisë: Të rikthehet qetësia në Kuds dhe Gaza dhe të shmanget përshkallëzimi i konfliktit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ka reaguar për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Rripin e Gazës dhe në Kudsin Sherif. Në reagimin e ministrisë, theksohet se sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës.

Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jerusalem dhe brenda dhe përreth Gazës. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë. Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

***

-Në Shqipëri, Nata e Kadrit u përjetua me lutje të posaçme për Palestinën dhe Kudsin Sherif

Në kuadër të aktiviteteve dhe adhurimeve të Natës së Kadrit, Myftinia Shkodër ka udhëzuar dhe ftuar besimtarët që lutjet e këtyre ditëve dhe netëve të begata të jenë edhe për Palestinën dhe qëndrestarët besnikë të shenjtërive të mbarë ymetit!

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i përkushtoi një lutje të veçantë vëllezërve në Palestinë e në Kudsin Sherifë, që në këto netë të shenjta, po përballen me arrogancën dhe mizoritë e makinerive të dhunës dhe terrorit, që ushtrohen në mënyrë sistematike ndaj atij populli dhe shenjtërive prej dekadash.

Lutje për Palestinën dhe Kudsin Sherifin u bënë edhe gjatë natës, ku besimtarët iu drejtuan Allahut të Madhëruar që paqja dhe drejtësia të mbulojë atë vend dhe mbarë botën, sikurse u lutën për mirëqenien e mbarë myslimanëve të botës dhe rizgjimin e tyre për t'u kthyer tek lavdia e shekujve dhe krenaria legjitime!

Nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, iu drejtua besimtarëve me një mesazh, ku kërkoi që përkushtimi i krejt këtij muaji të begatë, të vazhdojë deri në momentin e fundit të tij.

Myftiu kërkoi që të bëhen lutje dhe dhikre, edhe pas daljes nga xhamia, deri në agimin e diellit të ditës së re.

Së bashku me imamët e xhamisë së Parrucës dhe dy hafëzët e ardhur nga Diyaneti i Turqisë, ai drejtoi namazet e kësaj nate, sikurse drejtoi lutjen e kësaj Nate, i shoqëruar nga amin-at e të rinjve të shumtë në xhami.

Në xhaminë e Tabakëve në Tiranë, besimtarët janë mbledhur për të falur namazin e Natës së Kadrit, ndërkohë që patën mundësi të lexonin edhe Kur’an-in.

Ndërkohë, edhe në xhamitë në qytetet e tjera të Shqipërisë besimtarët kanë falur namazin e Natës së Kadrit, duke uruar edhe njëri-tjetrin.

Natën e Kadrit apo natën e përcaktimit të fatit e bën posaçërisht të rëndësishëm fakti se në të ka filluar shpallja e Kuranit në të cilën është përshkruar vlera e saj e vërtetë. Kjo natë është quajtur kështu pasi besohet se këtë natë përcaktohen dhe shkruhen fatet e të gjitha krijesave të Zotit të Madhërishëm për vitin që vjen.

Ndërsa në mesazhin e tij drejtuar mbarë myslimanëve me rastin e festës së Bajramit të Madh, Myftiu i Metropolit Verior të Shqipërisë, Shkodër u ndal në mënyrë të veçantë tek prishja e ekuilibrit të jetës në botë, sidomos në vendet e shenjta islame...

“...Ramazani i sivjetshëm iu përgjak ymetit islam, por kjo nuk e theu as e frikësoi atë, përkundrazi, e forcoi edhe më shumë në rrugëtimet e pakthyeshme dhe qëndrimet e përbashkëta kundër dhunës e terrorit, kundër shkeljes së patolerueshme të drejtave themelore të njeriut, kundër krimeve dhe urrejtjes, të cilat e kanë prishur ekuilibrin e jetës në këtë botë!

Është momenti për të kuptuar se jeta merr vlerë, kur njeriu është i aftë të jetojë në harmoni me vëllanë e tij njeri, pa urrejtje, pa prerje në besë, pa smirë, pa tamah në pronën e shenjtëritë e tjetrit, pa paragjykime e pa egoizëm të sëmurë!

Fitër Bajrami është një ditë që na fton të jetojmë me gëzimin e besimin e Zotit në tokën tonë, në vendin tonë, në shoqërinë e familjen tonë. Ta falënderojmë Krijuesin tonë për çfarë na ka dhënë dhe të përpiqemi për të ndryshuar çfarë është prishur, sepse me besimin dhe fetarizmin tonë jemi të ftuar drejt ndërtimit...!”

***

-ATTSO shpërndan ndihma për fëmijët me aftësi të kufizuara 

Nën kujdesin e Grupit të Grave Sipërmarrëse pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Turqi /ATTSO u organizua aktiviteti i ndarjes së ndihmave për fëmijët me aftësi të kufizuara në Tiranë.

Gjatë aktivitetit të organizuar nën koordinim me Shoqatën Bamirëse Sadakaja e Mëshirës u organizua edhe një program argëtues, ndërkohë e pranishme ishte edhe Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, njëkohësisht kryetare nderi e Grupit të Grave Sipërmarrëse në ATTSO.

Yörük gjatë kësaj ceremonie tha se në kuadër të aktivitetit po ndihmojnë 20-25 fëmijë me sindromën down në rajon.

Ajo tha se fëmijët kanë pasur nevojë për gjithçka përfshirë edhe materiale higjienike, duke shtuar se bashkë me ato kanë sjellë edhe lodra edukative që do të plotësojë arsimimin e këtyre fëmijëve.

Yörük më tej duke theksuar se do të vazhdojnë ndihmat dhe mbështetjet e tyre tha se, "...Çfarëdo që të kërkojnë fëmijët tanë, si Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë jemi pranë tyre. Me mbështetjen dhe udhëzimet e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan gjithmonë jemi pranë dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim fëmijët e vëllezërve tanë shqiptarë...".

Özlem Arman, nënkryetare e Grupit të Grave Sipërmarrëse pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Turqi, tha se janë të lumtur që i kanë njohur fëmijët, duke shprehur shpresën se do të vazhdojnë t’i mbështesin.

Kryetari i Shoqatës Bamirëse Sadakaja e Mëshirës, Besar Kastrati, tha se Ambasada turke çdo herë është kujdesur për personat me aftësi të kufizuara.

Ndihmat përfshinin pako me produkte ushqimore, materiale higjienike, materiale kancelarike dhe lodra të ndryshme për fëmijë të moshave të ndryshme që janë me aftësi të kufizuara.

***

-Shoqata bamirëse turke RIDA shpërndan ndihma gjatë Ramazanit 

Në kuadër të muajit të Ramazanit, që është muaji edhe i solidaritetit dhe bamirësisë, shoqata turke RIDA në bashkëpunim me shoqatën arsimore, kulturore dhe humanitare IHJA ka organizuar gjatë ditëve të ndryshme të muajit të madhëruar të Ramazanit shpërndarje me pako ushqimore për familjet në nevojë dhe jetimët e qarkut Shkodër dhe më tej.

Në prag të festës së Fitër Bajramit u bë e mundur shpërndarja e fundit e 130 pakove ushqimore për banoret e bashkisë Vau Dejs, donacione nga shoqata turke RIDA.

Kryetari i shoqatës IHJA, Jetmir Braqi, i pranishëm në këtë organizim shpërndarjeje përmes Radio "Zëri i Turqisë"-TRT shprehu falënderime dhe mirënjohje për shoqatën turke RIDA, e cila vazhdimisht mbështet familjet në nevojë, skamnorët, jetimët, etj., në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe kudo në botë.

***

-Në Tiranë, mbahet aktiviteti "Gjurmë të kulturës evropiane në Shqipëri”

Tryeza e diskutimit me temë "Gjurmë të kulturës evropiane në Shqipëri” ka mbledhur së bashku në Tiranë përfaqësues të institucioneve kulturore dhe studiues.

 Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës kishte fokus të tij diskutimet për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe ndikimin e kulturës evropiane në Shqipëri.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, gjatë fjalës përshëndetëse tha se aktiviteti organizohet në kuadër të "Muajit të Evropës", i dedikuar në Shqipëri me rastin e 9 Majit, që shënohet si Dita e Evropës.

"...Muaji i Evropës është një iniciativë që përfshin veprimtari kulturore, sociale dhe politike të cilat përqendrohen kryesisht në historinë dhe vlerat kulturore të Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe në Shqipëri...”, u shpreh Koçi.

Koçi tha se gjatë muajit maj në Shqipëri në kuadër të Muajit të Evropës janë planifikuar disa aktivitete që kanë në fokus edhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sidomos për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të institucioneve rreth procesit.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe studiues të ndryshëm të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të cilët në diskutimet e tyre trajtuan aspekte të ndryshme të përhapjes dhe ndikimit të kulturës evropianë në Shqipëri.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme